Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Pjesëmarrja e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese në aktivitetin e prezantimit të Raportit të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajnimeve ose Ndëshkimeve Çnjerëzore ose Degraduese(KPT)

Sot, më datë 9 shkurt 2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ministri i Drejtësisë dhe Avokati i Popullit për prezantimin e Raportit Përfundimtar të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajnimeve ose Ndëshkimeve Çnjerëzore ose Degraduese(KPT) për vitin 2023, me praninë e personaliteteve të larta të drejtësisë penale.

Tryeza e punës, e cila u hap me fjalën përshëndetëse të Ministrit të Drejtësisë, z. Ulsi Manja, vijoi me prezantimin e Avokatit të Popullit, znj. Erinda Ballanca mbi gjetjet dhe rekomandimet nga vizita e delegacionit të KPT në datat 4-15 Maj 2023, objektivi kryesor i së cilës ishte shqyrtimi i trajtimit dhe kushteve të burgimit të personave të mbajtur në paraburgim policor dhe në burgje. Në fokus të kësaj vizite për herë të parë në Shqipëri që nga viti 2000, ishte dhe trajtimi i personave me aftësi të kufizuara intelektuale në institucionet e kujdesit shoqëror.

Në diskutimin e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Zacaj, theksoi rëndësinë që kanë çështjet e identifikuara në Raporti e KPT-së, në kuadër të respektimit të drejtave të njeriut. Ajo vuri theksin se është i nevojshëm njehsimi i praktikës gjyqësore nga ana e Gjykatës së Lartë në lidhje me zbatimin e masave të sigurimit, gjë e cila do të çonte në uljen e afateve të paraburgimit, gjetje e evidentuar si problematike dhe në Raport.

Po kështu znj. Zacaj, solli në vëmendje edhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Nëntorit të vitit 2023, në lidhje me çështjen me kërkues Mariglen Gjuraj të cilën Gjykata e ka shqyrtuar në drejtim parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e provave të mbledhura në kushtet e dhunës, për sa kohë është pretenduar se fajësia e kërkuesit nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe se provat e prokurorisë synonin të mbulonin dhunën e ushtruar ndaj tij.

Aktiviteti vijoi me diskutime për masat që institucionet shqiptare duhet të marrin për të përmirësuar funksionimin në praktikë të rekomandimeve të dhëna nga KPT.

09 09

 

09 09

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.