| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në veprimtaritë e organizuara me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, 25-28 prill 2022.

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Prof. Dr. Zühtü Arslan, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Altin Binaj, gjyqtar dhe znj. Kaliona Nushi, këshilltare ligjore, mori pjesë në ceremonitë zyrtare si dhe në simpoziumin e organizuar me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë.
Gjatë sesioneve të punës të këtij simpoziumi me temë: “Interpretimi i Kushtetutës në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, ku morën pjesë kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese nga vende të ndryshme, gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të Komisionit të Venecies, si dhe akademikë të fushës nga universitete të ndryshme të Turqisë, u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me rolin e interpretimit në përcaktimin e qëllimit të të drejtave dhe lirive themelore, natyrën dhe metodat e interpretimit kushtetues, duke bërë një vlerësim krahasues mes ngjashmërive dhe ndryshimeve me atë ligjor. Një temë tjetër me interes ishte edhe interpretimi kushtetues krahasues si një mënyrë e promovimit të demokracisë, mbrojtjes së të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Referencat trajtuan edhe interpretimin e Kushtetutës në të drejtën e krahasuar dhe raportin mes këtij interpretimi që bëjnë gjykatat kombëtare dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë mbajti një sesion të veçantë me krerët e delegacioneve në lidhje me rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në juridiksionin kushtetues. Në këtë takim, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, bëri një prezantim në lidhje me situatën aktuale në Gjykatën Kushtetuese dhe veprimtarinë e saj, duke e vënë fokusin në  rëndësinë e këtij bashkëpunimi mes gjykatave kushtetuese. 

Po ashtu, nga Presidenti i Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, u shtrua një darkë zyrtare në kompleksin presidencial me praninë e të gjithë delegacioneve pjesëmarrëse.

29  img-1544

29  img-1545

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.