| Bookmark and Share

Seminar trajnues me temë: “E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale”, 26 – 28 qershor 2019.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë organizoi seminarin trajnues me temë: “E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale”, i cili u zhvillua në qytetin e Sarandës, në datat 26 – 28 qershor 2019. Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese të kryesuar nga z. Eugen Papandile, si dhe në cilësinë e ekspertit, z. Erind Mërkuri, pedagog i Fakultetit të Drejtësisë Tiranë. 
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili evidentoi nevojën dhe rëndësinë e organizimit të këtij seminari trajnues për stafin administrativ dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë ditës së parë seminari u nda në dy sesione në të cilat u trajtuan nëntema të tilla si: mbrojtja e burimeve të informimit për gazetarët, dhënia e informacionit për çështjet nën hetim/sekreti hetimor, dhënia e informacioneve për mënyrën e kontrollit të tubimeve/demonstrimeve nga autoritetet shtetërore dhe e drejta për informim nga qelia, nëpërmjet internetit. 
Gjatë ditës së dytë të seminarit u trajtuan nëntemat: përgjimi në kuadër të masave antiterrorizëm dhe marrja nga ana e autoriteteve e informacionit nga IP të adresave të internetit. Të gjitha nëntemat e sipërpërmendura u trajtuan dhe konkretizuan me çështje specifike të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.