| Bookmark and Share

TAKIM ME PËRFAQESUES TË FONDACIONIT SHOQËRIA E HAPUR PËR SHQIPËRINË (SOROS)

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, priti në zyrën e tij drejtorin ekzekutiv të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë,  Z.Andi Dobrushi.
Z.Dedja vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që  fondacioni SOROS i ka dhënë sistemit të gjyqësorit në Shqipëri. Drejtori ekzekutiv i fondacionit, Z.Dobrushi siguroi se në kuadrin e Programit të Shtetit të së Drejtës dhe të të Drejtave të Njeriut, asistenca dhe mbështetja e këtij fondacioni, për sistemin e drejtësisë, do të jenë të vazhdueshme. Ai gjithashtu i njohu të pranishmit me disa iniciativa të fondacionit për mbështetjen e organizatave të ndryshme civile në çështje me interes publik si dhe me asistencën e dhënë në drejtim të rritjes së ekspertizës së ekspertëve shqiptarë në procesin e politikëbërjes së ligjeve në Shqipëri.
Në vazhdim të takimit, z. Dedja i njohu të ftuarit me përgatitjet për organizimin e Konferencës ndërkombëtare për 20-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Në kuadrin e zhvillimit të kësaj konference, u diskutua dhe  mbi disa projekte bashkëpunimi për disa botime të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim, pjesëmarrësit konfirmuan dhe njëherë angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

 

 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.