Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Znj. Vitore Tusha, me Ambasadoren e Francës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj Znj. Elisabeth Barsacq.

17 shtator 2021

Sot, në datën 17.09.2021, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate me Ambasadoren e Francës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj Zonjën Elisabeth Barsacq, e cila shoqërohej në këtë takim nga znj. Anne-Elisabeth Gautier-Budai, atashe për bashkëpunimin në këtë ambasadë.

Gjatë takimit, Kryetarja Tusha vuri në dukje marrëdhëniet institucionale të bashkëpunimit me Këshillin Kushtetues Francez, si dhe me Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese Frankofone ku Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aderon si anëtare me të drejta të plota që prej vitit 2002.

Po ashtu, në vijim të interesit të shprehur nga znj. Ambasadore, u diskutua edhe rreth garancive që u ofrohen individëve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga Gjykata Kushtetuese, hierarkisë së normave ndërkombëtare dhe vendit që ato zënë në të drejtën e brendshme, mënyrave të shkëmbimit të informacionit mes gjykatave kushtetuese për çështje të caktuara gjyqësore, modaliteteve të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë vendimmarrëse të gjykatës, kritereve të përcaktimit të prioritetit të çështjeve që vijnë për shqyrtim në këtë gjykatë; si dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të dhëna nga Gjykata Kushtetuese.

Në përfundim të takimit, zonja Ambasadore përcolli edhe ftesën për pjesëmarrjen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në veprimtarinë me titull “Nata e së Drejtës” (“La Nuit du Droit”), e cila do të organizohet nga Këshilli Kushtetues francez, në datën 04 tetor 2021 me rastin e përvjetorit të Kushtetutës franceze.

17

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.