Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Republikën e Shqipërisë, 17 mars 2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, SH.T.Z. Reinout Vos, i shoqëruar nga znj. Edlira Osmani, eksperte e nivelit të lartë për shtetin e së drejtës. Në takim merrte pjesë edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Gent Ibrahimi.

Ambasadori Vos, pasi e uroi Kryetaren Zaçaj për marrjen e kësaj detyre të rëndësishme, shprehu kënaqësinë për plotësimin e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi rolin që luan kjo gjykatë në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e demokracisë, si dy elemente kyç për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Nga ana e saj, Kryetarja Zaçaj e falënderoi Ambasadorin për vizitën dhe bëri një përshkrim të detajuar të prioriteteve aktuale të Gjykatës Kushtetuese, duke u fokusuar në nevojat më imediate për një sistem modern dhe të digjitalizuar të menaxhimit të çështjeve, përmirësimin e teknologjisë së përdorur brenda gjykatës, si dhe për hartimin e një dokumenti udhëzues sipas modelit të GJEDNJ-së, i cili do të shërbente për referime të standardizuara, të plota dhe unifikimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky udhëzues do të ndihmonte dhe lehtësonte jo vetëm punën e gjyqtarëve dhe këshilltarëve për kërkimin ligjor, por do të ishte një bazë e mirë burimore edhe për juristët e institucioneve, avokatët dhe praktikantët e ligjit në përgjithësi.

Në këtë kontekst, Kryetarja Zaçaj shprehu angazhimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit me qeverinë holandeze duke mirëpritur mbështetjen nëpërmjet projekteve konkrete në funksion të përmirësimit të infrastrukturës dhe ngritjes së kapaciteteve.

takim me ambasadorin e mbretërisë së holandës në republikën e shqipërisë, 17 mars 2023_copy_1

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.