Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Takim me Ambasadorin e Republikës së Italisë në Republikën e Shqipërisë, 2 mars 2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci. Në takim merrte pjesë edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji.

Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të qeverisë italiane për Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht në realizimin e konferencës ndërkombëtare që u organizua rastin e 30 vjetorit të krijimit të saj. Po ashtu, duke evidentuar marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit institucional me Gjykatën Kushtetuese të Italisë, Kryetarja Zaçaj shprehu vullnetin dhe angazhimin e trupës për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, me synim rinovimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar me këtë gjykatë, si dhe realizimin e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e drejtësisë kushtetuese.

Nga ana e tij, Ambasadori Bucci, pasi e uroi Kryetaren Zaçaj për marrjen e kësaj detyre të rëndësishme, shprehu kënaqësinë për plotësimin e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi rolin që luan kjo gjykatë në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Po ashtu, Ambasadori Bucci evidentoi progresin e bërë në reformën në sistemin e drejtësisë dhe rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe shprehu angazhimin dhe gatishmërinë e qeverisë italiane për të vazhduar mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet projekteve konkrete për përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen e kapaciteteve.

Takim me Ambasadorin e Republikës së Italisë në Republikën e Shqipërisë, 2 mars 2023

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.