| Bookmark and Share

Takim për bashkëpunim mes Gjykatës Kushtetuese dhe Fondacionit Gjerman IRZ

Në kuadër të bashkëpunimit disavjeçar të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Fondacionin gjerman “Për bashkëpunimin ligjor dhe ndërkombëtar”- IRZ, zonja Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, priti në një takim zyrtar zotin Frank Hupfeld, Shef i Seksionit për vendet e Europës Juglindore dhe Kaukazit Jugor.

Ky takim kishte në fokus diskutimin e propozimeve për vijueshmërinë e bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese te Shqipërisë dhe fondacionit gjerman IRZ për periudhën në vazhdim.

Gjatë takimit u diskutua organizimi i seminareve trajnuese në fushën e ankimit kushtetues në vështrim të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016; nevoja që ka Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për mbështetje në realizimin e projektit të përmirësimit të sistemit të menaxhimit elektronik të çështjeve; mundësia për dhënien e ekspertizës së specializuar nga IRZ në hartimin e akteve që rregullojnë veprimtarinë e brendshme të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë; pasurimi i bibliotekës së kësaj gjykate me botimet e studimeve më të fundit dhe më të spikatura të fushës së drejtësisë kushtetuese; krijimin e mundësisë për zhvillimin e një vizite studimore të të gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë Gjykatës Kushtetuese Federale gjermane.

Të dy palët shprehën falënderimet dhe vlerësimet pozitive për nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe fondacionit gjerman IRZ dhe ishin besimplotë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.