| Bookmark and Share

06-07 Dhjetor 2007

Në datat 6 dhe 7 dhjetor u zhvillua në Bukuresht, Rumani, konferenca ndërkombëtare me temë "Konstitucionalizmi i jetës politike dhe ligjore: Roli i Gjykatave Kushtetuese", veprimtari e cila u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë me rastin e 15-të vjetorit të krijimit të kësaj Gjykate. Në këtë konferencë morën pjesë kryetarë dhe anëtarë të gjykatave kushtetuese dhe të gjykatave të larta të vendeve europiane si dhe akademikë në fushën e të drejtës kushtetuese. Nga Shqipëria mori pjesë z.Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Nga pjesëmarrësit në konferencë u sollën eksperiencat e vendeve përkatëse lidhur me rolin e rëndësishëm dhe në rritje që luajnë Gjykatat Kushtetuese në jetën politike dhe ligjore.  Theksi u vu në rolin që luajnë këto Gjykata për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës, të parimit të ndarjes dhe balacimit të pushteteve dhe të demokracisë. Nga disa pjesëmarrës u prezantuan, sipas një vështrim krahasues, dhe tendecat lidhur me raportet e juridiksionit kushtetues të vendit me juridiksionin e të drejtës europiane. Gjatë prezantimeve, i’u kushtua vëmendje dhe çështjes së forcimit të legjitimitetit dhe efektivitetit të vendimeve të gjykatave kushtetuese.

Z. Sokol Berberi bëri një prezantim me shkrim lidhur me eksperiencën dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare në drejtim të ndikimit mbi ligjvënësin dhe politikën. Në prezantimin e tij u trajtuan këto çështje: juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese shqiptare për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve në planin normativ, disa çështje të debatueshme nga doktrina; subjektet që e vënë në lëvizje Gjykatën dhe se si kanë ndikuar ose mund të ndikojnë në rolin e Gjykatës këta faktorë; dhe disa aspekte të disponibilitetit dhe juridiksionit kushtetues në interpretimet e Gjykatës.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.