| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Përbërja

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj (neni 125 i Kushtetutës). Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim (neni 126 i Kushtetutës).

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij (neni 128 i Kushtetutës). Qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike, shtetërore, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohen kundrejt pagesës, me përjashtim të atyre të mësimdhënies, akademike dhe shkencore, sipas ligjit (neni 130 i Kushtetutës).

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

 

vitoretusha

1. Dr. Vitore Tusha, anëtare me kompetenca të Kryetarit

Lindur më 26.11.1960 në Tiranë. Diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ka ushtruar detyrën e përmbarueses gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në periudhën 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ka ushtruar mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkautore në hartimin e tekstit “Procedura Civile”. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars të vitit 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Prej janarit të vitit 2019 ushtron funksionin e zëvendëskryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Elsa Toska

2. Dr. Elsa Toska, anëtare

Lindur më 05.06.1976 në Kavajë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka marrë titullin "Master" në Studime Europiane në Rektoratin e Tiranës, ndërsa në vitin 2012 gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Në vitet 2000-2006 ka punuar si ndihmëskomisionere/eksperte ligjore pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe në vitet 2006-2007 ka ushtruar profesionin e avokatit. Gjatë periudhës 2007-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2005 e në vazhdim është lektore e së Drejtës Administrative dhe Kushtetuese në universitete të ndryshme, si dhe trajnere e të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2010, është përfshirë si konsulente ligjore e jashtme në një sërë projektesh të organizmave ndërkombëtare, të lidhura me të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin. Ka qenë pjesë e ekspertëve në 3 grupe pune gjatë Reformës në Drejtësi, përkatësisht për Amendimet Kushtetuese, Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe hartimin e projektligjit për Presidentin e Republikës. Është autore e disa publikimeve shkencore në formë manualesh apo monografish, ku mund të veçohet monografia "Mbi kontrollin kushtetues të veprimtarisë administrative, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese", si dhe bashkëautore e librit "Kontrolli mbi administratën publike", 2013, tekst akademik i miratuar nga Departamenti i së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Tiranë. Prej vitit 2017 është eksperte e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës. Është autore e disa artikujve shkencorë dhe pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit për çështje të drejtësisë kushtetuese. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

 

Marsida Xhaferllari
3. Marsida Xhaferllari, anëtare
 

Lindur më 06.03.1975 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Në vitet 1997-2000 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, në brezin e parë të të diplomuarve të kësaj shkolle, dhe është emëruar në detyrën e gjyqtares. Ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier gjatë viteve 1999-2007. Në dhjetor të vitit 2007 ka ushtruar në strukturat juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë detyrën e këshilltares së ministrit, detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Drejtorisë së Kodifikimit dhe atë të drejtoreshës së përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë. Për shkak të këtyre detyrave ka qenë pjesë e disa komisioneve apo këshillave drejtues, si Komisioni i Etikës së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore apo Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit. Në janar të vitit 2013 është emëruar në detyrën e Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që prej vitit 2005 është angazhuar në vijimësi në aktivitete mësimdhënieje, duke përfshirë edhe Programin Fillestar dhe Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, si dhe ka qenë eksperte ligjore në projekte të lidhura me sistemin e drejtësisë. Në periudhën 2015-2016 ka qenë pjesë e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi, duke punuar për ligjet për gjyqësorin dhe financimin e gjyqësorit. Është autore e disa manualeve të punës për çështje të hartimit të legjislacionit, si dhe për ato të inspektimit. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

 

Fiona Papajorgji
4. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare
 

Lindur më 12.03.1976 në Vlorë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit. Në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, si dhe ka qenë eksperte në disa projekte pranë Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, në procesin e përafrimit të legjislacionit etj. Ka qenë autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese. Në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.