| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Institucioni

hyrje

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton në nenin 7 të saj ndarjen e pushteteve duke e vënë atë në themel të funksionimit të demokracisë. Në një republikë demokratike pushteti ekzekutiv dhe parlamentar bashkëpunojnë ngushtë në mënyrë që të nxjerrin dhe zbatojnë aktet ligjore të duhura për ecurinë e shoqërisë. Ndërsa pushteti i tretë, ai gjyqësor, është i ngarkuar me detyrën për të mbrojtur qytetarët nga cënimet e paligjshme të të drejtave të tyre qoftë edhe nga organet e pushtetit publik. Detyra për garantimin dhe respektimin e Kushtetutës nga veprimtaria e pushtetit publik i është ngarkuar Gjykatës Kushtetuese. Ajo është instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin ndaj akteve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror duke u përqendruar në aspektin e pajtueshmërisë së tyre me dispozitat kushtetuese.

Drejtësia kushtetuese nënkupton tërësinë e institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e rendit juridik të një shteti. Ajo njihet ndryshe me termin “Rojë e Kushtetutës”. Për këtë arsye, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar procesin ligjvënës është cilësuar si kurorëzimi i shtetit të së drejtës. Prirja për të vënë nën kontroll kushtetues veprimtarinë e legjislativit, gjithmonë duke respektuar sovranitetin ligjvënës të tij, është kthyer në një tipar dallues në pothuaj të gjitha regjimet demokratike sot në botë. Prandaj edhe roli i institucionit të Gjykatës Kushtetuese po vjen duke u rritur sidomos në vendet e dala nga sistemet totalitare.

Çfarë nënkupton shprehja “Rojë e Kushtetutës”? Do të thotë në kuptimin e plotë të fjalës një organ, funksioni i të cilit është mbrojtja e Kushtetutës nga cënimet e mundshme të pushtetit shtetëror. Pra, bëhet fjalë për një garanci të Kushtetutës. Duke qenë se Kushtetuta është tërësi e normave të caktuara të vendosura nga ligjvënësi, cënimi i saj do të thotë kryerja e një veprimi apo mosveprimi që bie ndesh me këtë tërësi normash. Natyrisht që edhe Kushtetuta, ashtu si çdo akt normativ, mund të cënohet nga ata që janë të ngarkuar me zbatimin e saj. Kjo mund të ndodhë direkt (nga organe që janë të ngarkuar nga Kushtetuta për zbatimin e saj) ose indirekt (si rrjedhojë e nxjerrjes së ligjit në zbatim të Kushtetutës). Kërkesa për të mbrojtur Kushtetutën nga cënimet e organeve të caktuara legjislative dhe ekzekutive për zbatimin e saj, rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe ka të bëjë me ligjshmërinë e pushtetit shtetëror – ushtrimi i funksionit vetëm në zbatim të ligjit. Pikërisht, duke pasur parasysh këtë parim dhe duke menduar se një organ i tillë do të shërbejë në ngritjen dhe ruajtjen e institucioneve demokratike në vend, u parashikua ngritja e funksionimi i Gjykatës Kushtetuese nga ligjvënësi shqiptar.

Gjatë veprimtarisë së saj që nga krijimi në vitin 1992 e gjer më sot Gjykata Kushtetuese ka patur rastin të shqyrtojë çështje të natyrave dhe përmasave të ndryshme duke krijuar hap pas hapi një praktikë të pasur, ku të bie në sy përpjekja e vazhdueshme për t’i dhënë mbrojtjen e duhur parimeve kushtetuese. Natyrisht vend për kritika mund të ketë, por nisur nga fakti që në një kohë të shkurtër duhej të merreshin vendime për çështje të rëndësishme, ky organ është përpjekur gjithsesi të shfaqë tendencën e tij për paanshmëri në gjykimet e dhëna. Gjykata Kushtetuese është bërë shpesh objekt kritikash nga ana e politikës për shkak të natyrës së çështjeve të gjykuara prej saj. Përplasje të tilla janë të pashmangshme po të kihet parasysh se Gjykata Kushtetuese duhet të ushtrojë kontroll mbi aktet e legjislativit apo ekzekutivit, që në fund të fundit është formuar nga shumica e votuar në zgjedhjet politike. Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të mbikëqyrë, nëse ushtrimi i pushtetit (politik) bëhet brenda kufijve të përcaktuar me ligj. Pra, ajo duhet të sigurojë që këto kufij të mos tejkalohen, në të kundërt nuk respektohet rendi juridik mbi bazën e të cilit duhet të funksionojë i tërë sistemi shtetëror. E parë në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese nuk duhet kuptuar si një organ që qëndron mbi të tjerët apo i sposton ata. Por ajo luan një rol ekuilibrues për mbrojtjen e sistemit të ndarjes dhe kontrollit të ndërsjelltë të pushteteve, si një parim themelor të shtetit të së drejtës. Ky lloj kontrolli kushtetues i ushtruar nga Gjykata Kushtetuese është forma më e mirë e gjetur deri më sot për të siguruar funksionimin mbi bazën e ligjshmërisë të organeve shtetërore, ç’ka përbën edhe elementin kryesor të shtetit të së drejtës. Doktrina kushtetuese e përqafoi idenë e Hans Kelsenit (konstitucionalist austriak – ideator i krijimit të Gjykatës Kushtetuese) për të pasur një organ të ngarkuar me kontrollin e veprimtarisë së organeve shtetërore me qëllimin e vetëm për të mos i lënë vend arbitrariteteve dhe anarkisë, ç’ka jep pasojat e veta, shpesh të rënda, drejtpërdrejt tek shtetasit. Gjykata Kushtetuese u mendua si një institucion që duhej të garantonte kësisoj respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, e cila filloi të trumpetohej me forcë që në fillim të shekullit të 20-të.

E parë në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese shqiptare ka sjellë risi në qeverisje, pavarësisht se vendimet e saj jo rrallë shkaktojnë mërira. Gjithsesi roli i saj ka ardhur duke u evidentuar tek qytetarët, megjithëse kompetenca e saj për të shqyrtuar ankimet individuale kushtetuese është e kufizuar në raport me kompetencat që ajo kishte sipas Dispozitave Kryesore Kushtetuese si dhe me kompetencat e disa gjykatave analoge të vendeve të tjera. Në këto afro dy dekada të krijimit të saj, Gjykata Kushtetuese është konfiguruar si institucion kushtetues i mirëfilltë duke u rreshtuar krah simotrave të saj evropiane. Ka marrëdhënie dhe shkëmbime të rregullta me institucione të ngjashme në Evropë dhe ka aderuar në konferenca e organizma të ndryshëm, ku jep në mënyrë të vazhdueshme kontributin e saj në shërbim të drejtësisë kushtetuese, kryesisht asaj evropiane. Gjithashtu, kjo Gjykatë boton periodikisht vendimet e saj duke synuar prakticitetin në shfrytëzimin e judikaturës së saj nga rrethi i juristëve e më gjerë. Gjykata Kushtetuese shqiptare prezantohet së fundi para jush edhe me këtë faqe interneti, në të cilën mund të gjeni informacione lidhur me kompetencat, funksionimin, përbërjen, strukturën administrative të saj, vendimet që prej 1992 si dhe aktivitetet që organizon apo merr pjesë kjo Gjykatë. Kjo është një përpjekje modeste për të prezantuar Gjykatën Kushtetuese para publikut shqiptar dhe atij të huaj. Për këtë qëllim ju vëmë në dispozicion të dhëna mbi përbërjen, kompetencat, aktivitetin dhe organizimin e brendshëm të këtij institucioni kushtetues. Eshtë dhënë dhe teksti i plotë i dispozitave kushtetuese mbi Gjykatën Kushtetuese si edhe i Ligjit Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Reforma në drejtësi dhe Gjykata Kushtetuese

Çfarë solli reforma kushtetuese?

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 prekën edhe aspekte të organizimit, funksionimit dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, të cilat u reflektuan si në dispozitat kushtetuese, ashtu edhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e saj. Konkretisht, u ndryshua formula e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, u shtuan disa kompetenca dhe u ridimensionuan në funksion të efikasitetit dhe eficensës disa kompetenca të tjera. Gjithashtu, u pasqyruan edhe disa zgjidhje për probleme të hasura gjatë vendimmarrjes së kësaj Gjykate në vite.

Formula e emërimit/zgjedhjes

Për shkak të rolit që kishte përcaktuar Kushtetuta e vitit 1998, por edhe ligji, në lidhje me sistemin e drejtësisë, Presidenti i Republikës, mbështetur në nenin 125/1 të Kushtetutës, emëronte anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, me pëlqimin e Kuvendit. Mekanizmi kushtetues i përfshirjes së Presidentit të Republikës dhe Kuvendit është menduar fillimisht nga hartuesit e Kushtetutës në vitin 1998, si zgjidhja më e mirë në raport me formulimin e mëparshëm. Përvoja e zbatimit të kësaj procedure kushtetuese deri në ndryshimin e kushtetutës në vitin 2016 dëshmoi për mosfunksionim si duhet për shkak të mungesës së bashkëpunimit institucional midis Presidentit dhe Kuvendit. Problematika e procedurës së zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë dhe kushtetues, solli në rend të ditës edhe rishikimin kushtetues të mënyrës së zgjedhjes së tyre.

Nisur nga kjo situatë, bazuar në ndryshimet kushtetuese të 2016, Gjykata Kushtetuese ka një formulë të re të zgjedhjes së anëtarëve të saj. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Kandidatët për gjyqtarë të Gjykatë Kushtetuese i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe pikëzimit që kryhet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky Këshill, në përfundim të procesit të vlerësimit, bën renditjen e kandidaturave, sipas kritereve objektive dhe shkencore të parashikuara në ligjin organik për këtë qëllim. Krahas integritetit moral, mjaft i rëndësishëm është vlerësimi profesional i fokusuar në disa parametra si: pasuria e përvojës profesionale në fushën ligjore, vijueshmëria e një vendimi të dhënë në shkallët e tjera të gjykimit, sasia dhe cilësia e punës së kryer, respektimi i afateve për shpalljen e vendimit, pjesëmarrja aktive dhe asistenca e ofruar nga gjyqtari për mbarëvajtjen e zyrës/gjykatës në të cilën vepron, disponibiliteti, frekuenca e kurseve trajnuese, kontributi në zgjidhjen e problemeve organizative, meritat e veçanta në fushën e mësimdhënies, etj.

Pas këtij procesi, KED i dërgon listën me kandidatët e renditur secilit prej organeve të emërtesës që duhet të plotësojë vakancën përkatëse. Presidenti emëron njërin prej kandidatëve të renditur në 3 vendet e para. Po kështu, edhe Kuvendi zgjedh me shumicë prej 3/5 të të gjithë anëtarëve, një nga 3 të listuarit me më shumë pikë. Ndërsa Gjykata e Lartë, zgjedh një nga 3 kandidatët e renditur më lart, me shumicën prej 2/3 të të gjithë gjyqtarëve të asaj gjykate. Në rast se organi i emërtesës (Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë) brenda 30 ditëve nuk ushtron kompetencën e tij, atëherë kandidati i renditur më lart, konsiderohet i emëruar.

Kjo formulë zgjedhjeje synon disa objektiva: së pari, siguron pjesëmarrjen e disa organeve dhe grupeve të interesit në proces, pasi secili organ ka kompetencë thelbësore dhe të pandarë me të tjerët; së dyti, përmban mekanizmin zhbllokues të procesit, duke mos ndikuar në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mospërtëritjes nga organet e emërtesës; së treti, proces nuk dominohet nga politika, duke mundësuar në të njëjtën kohë balancimin e pushteteve dhe së fundmi, garanton një miksim të përvojave pasi kandidatët vijnë nga fusha dhe përvoja të ndryshme të së drejtës.

Kompetencat e Gjykatës

Një nga aspektet e rëndësishme të kompetencave të ridimensionuara është edhe zgjerimi i ankimit individual, kur cenohen të drejtat dhe liritë themelore të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese sipas Kushtetutës së vitit 1998 ishte kompetente të shqyrtonte ankimet kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor duke e kthyer këtë në një nga kompetencat më të rëndësishme të saj. Pavarësisht këtij fakti, Gjykata nuk arriti të përfshinte në juridiksionin e saj edhe kontrollin e kushtetutshmërisë së të gjitha akteve normative të pushtetin publik që cenojnë të drejtat themelore substanciale të parashikuara në Kushtetutë dhe në KEDNJ. Për këtë arsye, u parashikua, midis të tjerave, edhe zgjerimi i ankimit kushtetues individual, i cili ka si qëllim një mbrojtje më të madhe të individit ndaj akteve të pushtetit publik.

Një tjetër kompetencë është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së ligjit që rishikon Kushtetutën, kur nuk është respektuar procedura e miratimit të këtij ligji. Më tej, është parashikuar edhe mundësia e rihapjes së procesit para Gjykatës kur vendimi i saj është konsideruar në shkelje të detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare nga gjykatat ndërkombëtare.

Në funksion të kompetencave të Gjykatës, është me rëndësi të theksohet se një ndryshim ka pësuar edhe rrethi i subjekteve që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues. Sipas nenit 134, veç subjekteve të parashikuara më parë për të vënë në lëvizje Gjykatën kushtetuese janë shtuar edhe disa subjekte që kanë si thelb të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut siç janë komisionerët e krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta. Gjithashtu, janë shtuar edhe KLGJ dhe KLP, si organe kushtetuese të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Përveç sa më lart, ligji ka parashikuar edhe disa aspekte të rëndësishme të një organizimi sa më efikas të Gjykatës siç është zgjedhja e Kryetarit nga vetë gjyqtarët e Gjykatës, duke shmangur ndikimin nga jashtë në çështje të brendshme të organizimit të saj; ngritja e Njësisë Ligjore, të përbërë nga këshilltarë ligjorë, si strukturë me karakter shkencor dhe të ofrimit të ndihmës në vendimmarrjen e Gjykatës; çështje që lidhen me mënyrën e vendimmarrjes, publicitetin, transparencën por edhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm; rregullimet përkatëse në lidhje me zbatimin e vendimeve të Gjykatës etj.

Këto ndryshime kushtetuese përbëjnë bazën e një reforme të thellë e tërësore, ligjore dhe institucionale për reformimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Zgjidhjet kushtetuese, ligjore e institucionale të ofruara përmes kësaj reforme synojnë të realizojnë funksionimin eficent të sistemit, aftësinë vetërregulluese të sistemit, forcimin e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve dhe kontrollit reciprok ndërmjet institucioneve, të konsolidojnë karrierën e magjistratëve përmes vlerësimit të meritës, aftësive profesionale dhe ndershmërisë në ushtrimin e detyrës.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.