| Bookmark and Share

19-26 Tetor 2009

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në datat 19 – 26 tetor 2009, juristi i mirënjohur amerikan, z. Roger Sherrard, zhvilloi një vizitë në Shqipëri.

Në ditën e parë të vizitës së tij në Shqipëri, z.Sherrard u prit në ambientet e Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i kësaj gjykate, Dr.Vladimir Kristo. Në këtë takim u shkëmbyen mendime për përsosjen e mëtejshme të sistemit gjyqësor dhe drejtësisë kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, si dhe për nxitjen e mëtejshme të shkëmbimit të përvojave dhe ideve midis juristëve të të dy vendeve. Në vijim, z. Sherrard zhvilloi takime me gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe u prit në një takim të veçantë nga kryetarja e kësaj gjykate, znj. Shpresa Beçaj.

Në ditët në vazhdim, z. Roger Sherrard, i shoqëruar nga kryetari Vladimir Kristo dhe gjyqtari z.Sokol Berberi zhvilluan takime në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Pogradec si dhe në Gjykatën e Apelit Korçë. Gjatë këtyre takimeve z.Sherrard diskutoi mbi problemet që shqetësojnë gjyqësorin shqiptar, si dhe mundësitë për zgjidhjen këtyre problemeve në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë.

Në datë 23 tetor 2009, z. Sherrard sëbashku me trupën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë morën pjesë në Konferencën mbi Integritetin, me temë “Shqiptarët për integritet”, ku z. Roger Sherrard mbajti një prej fjalimeve kryesore që u referuan gjatë kësaj konference.

Në fund të kësaj vizite, z. Roger Sherrard u prit në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bamir Topi, i shoqëruar nga dr.Vladimir Kristo, si dhe Roger Magnuson, avokat.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.