Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Forumi i dytë rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Europën Juglindore, 6-7 Mars 2015

Me ftesë të Qendrës AIRE (Advice on Individual Rights in Europe) dhe Civil Rights Defenders, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga Kryetari i Gjykatës, z.Bashkim DEDJA dhe Drejtori i Kabinetit z. Aleksandër TOMA, mori pjesë në Forumin e dytë rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Europën Juglindore, që zhvilloi punimet në Beograd (Serbi) në datat 06 - 07 mars 2015.

Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, si dhe gjyqtarë të GJEDNJ-së.
 
Qëllimi i Forumit është të promovojë bashkëpunimin rajonal duke mbledhur së bashku gjyqtarë të rajonit pranë GJEDNJ-së, përfaqësues të Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta nga rajoni, drejtorë të akademive të trajnimeve gjyqësore, përfaqësues të OJQ-ve si edhe ekspertë ligjorë të shquar në këtë fushë, të cilët diskutojnë rreth problemeve dhe ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira për një zbatim efektiv në nivel kombëtar të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe sidomos të nenit 6.

Diskutimet përfshinë çështje të identifikuara në forumin e fundit: mungesa e koherencës në jurisprudencën kombëtare, mungesa e arsyetimit të gjykimeve, roli dhe rëndësia e precedentit, çështje të moszbatimit të vendimeve gjyqësore. Rreth kësaj të fundit referoi edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Gjithashtu, me këtë rast u promovua edhe arkivi rajonal me jurisprudencën e GJEDNJ-së në gjuhët përkatëse amtare. Ky arkiv është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet ekipit ligjor të Qendrës AIRE dhe anëtarëve të Qeverive nga vendet e rajonit, i cili u mundëson gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të konsultojnë më të lehtë jurisprudencën e GJEDNJ-së si dhe shkëmbimin e përvojave e praktikave të Gjykatave të ndryshme Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.