Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Konkursi i 18-të Rajonal i Gjyqit Simulues para GJEDNJ-së, Kroaci, 19-22 prill 2024

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Marsida Xhaferllari, mori pjesë në Konkursin e 18-të Rajonal të Gjyqit Simulues para GJEDNJ-së ( Regional Moot Court Competition 2024), i cili u zhvillua në Kroaci, në datat 19 – 22 prill 2024, në cilësinë e Anëtares së Panelit të Lartë të Gjyqtarëve pjesëmarrës në gjyqin simulues.

Ky konkurs i gjyqit simulues para GJEDNJ-së, në fushën e mbrojtjes gjyqësore të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut organizohet prej 18 vitesh nga organizata ndërkombëtare suedeze Civil Rights Defenders.

Në përbërje të trupës gjykuese të gjyqit simulues janë gjyqtarë aktualë dhe ish-gjyqtarë të GJEDNJ-së, si dhe anëtarë të gjykatave më të larta të vendeve të rajonit, çka kontribuon në profilin e lartë të konkursit dhe dëshmon për rëndësinë që i kushtohet këtij aktiviteti.

Krahas edukimit praktik në fushën e së drejtës, familjarizimit të studentëve me standardet e Konventës dhe me jurisprudencën e GJEDNJ-së, ky konkurs promovon edhe multikulturalizmin dhe shumëgjuhësinë, përmes prezantimit të mbrojtjes ligjore në gjuhët amtare nga të gjithë pjesëmarrësit në gjyqin simulues. Në këtë edicion të 18-të të konkursit morën pjesë përfaqësues nga shtatë vende të rajonit: Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.