| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Konferencën e 19-të Gjyqësore Ndërkombëtare, 18 - 21 maj 2016

Në datat 18 - 21 maj 2016, në Uashington DC (SHBA) zhvilloi punimet Konferenca e 19-të Gjyqësore Ndërkombëtare e cila organizohet nga Fondacioni i Familjes Furth, Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Miçiganit dhe Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES). Në këtë konferencë mori pjesë një delegacion i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga Kryetari i Gjykatës Bashkim Dedja dhe gjyqtarja Altina Xhoxhaj. Në konferencë mori pjesë dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

Punimet e kësaj konference iu kushtuan çështjeve që kanë të bëjnë me performancën dhe detyrat e gjyqësorit, në kuadër të zbatimit të parimeve të Shtetit të së Drejtës. Në këtë konferencë u trajtuan dhe u diskutuan tema mbi administrimin e gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve gjyqësore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, transparencën, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, etikën, etj.. Gjithashtu, u diskutua edhe mbi rëndësinë që ka rritja e performancës dhe efikasitetit të gjykatave në mirë-administrimin e drejtësisë, parandalimin e backlogut dhe vonesave në çështjet gjyqësore, si dhe rolin që luan Gjykata Kushtetuese në këtë proces.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në datën 24.05.2016, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese, zhvilloi takime në Selinë e OKB në Nju Jork, ku u prit nga zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Miguel De Serpa Soare, i cili është njëkohësisht edhe drejtues i Komisionit për Çështjet Ligjore. Më pas u zhvillua një takim në Divizionin për Çështjet e Oqeanit dhe të Drejtës së Detit në OKB me Drejtuesen e këtij divizioni, Gabriele Goettche - Wawli dhe stafin e saj.

Në këto takime u diskutua mbi rëndësinë që ka procesi i reformës i ndërmarrë në Shqipëri, i cili synon të adresojë problemet e evidentuara në sistemin gjyqësor, zbatimin nga Shqipëria të angazhimeve që rrjedhin nga aderimi në Konventat e OKB-së, rolin e Shqipërisë në këtë organizatë, nevojën për mundësimin e internship për gjyqtarët shqiptarë me qëllim përvetësimin e njohurive dhe praktikave në fusha të ndryshme të së drejtës, veçanërisht në atë të të drejtave të njeriut.

Po ashtu, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pati takim me përfaqësues të Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në OKB në Nju Jork, të cilët ishin të pranishëm edhe në takimet zyrtare.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.