| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Kongresin e 8-të trevjeçar të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese që përdorin gjuhën frënge, 30 prill - 03 maj 2019, Montreal, Kanada

Me ftesë të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese që përdorin gjuhën frënge (Association des Cours Constitutonnelles ayant en Partage l’Usage du Français - ACCPUF), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, znj. Jonida Kondili, këshilltare ligjore, dhe znj. Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Kongresin e 8-të trevjeçar të kësaj shoqate, i cili i zhvilloi punimet nga data 30 prill deri më 03 maj 2019 në Montreal (Kebek), Kanada.

Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që përdorin gjuhën frënge (ACCPUF) mbledh së bashku gjykata kushtetuese dhe institucione ekuivalente të Europës, Afrikës, Amerikës dhe Azisë dhe ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave midis anëtarëve të hapësirës frankofone për të promovuar forcimin e Shtetit të së drejtës dhe për të reflektuar rreth sfidave të mëdha të drejtësisë kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aderon në këtë shoqatë si anëtare me të drejta të plota që prej vitit 2002.

Kongresi i 8-të trevjeçar i Shoqatës ACCPUF u organizua në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Kanadasë.

Punimet e Kongresit u hapen me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kanadasë, z. Richard Wagner, të zëvendësministres së Drejtësisë dhe zëvendësprokurore e Përgjithshme e Kanadasë, znj. Nathalie G. Drouin, të Kryetarit të Shoqatës ACCPUF dhe njëkohësisht Kryetar i Tribunalit Federal të Zvicrës, z. Ulrich Meyer, të Kryetarit të Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio.

Kryetarët, anëtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese që morën pjesë në Kongres diskutuan rreth temës “Kushtetuta dhe siguria juridike”. Sesionet e diskutimeve u fokusuan veçanërisht në mbrojtjen kushtetuese të sigurisë juridike, në mënyrën se si institucionet anëtare të ACCPUF-it (gjykata/këshilla kushtetues, gjykata supreme) e marrin parasysh këtë parim gjatë ushtrimit të kontrollit kushtetues dhe në teknikat e tyre të vendimmarrjes.

Në ditën e dytë të punimeve të Kongresit, Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës miratoi: raportin financiar trevjeçar të Shoqatës; ndryshimet në Statutin dhe Rregulloren e Shoqatës; ndryshimin e emërtimit të Shoqatës në “Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone” (Association des Cours Constitutionnelles Francophones - ACCF); pranimin e kërkesës për anëtarësim të Gjykatës Kushtetuese të Luksemburgut; propozimin për partneritet me Konferencën e Juridiksioneve Kushtetuese Afrikane; kandidaturat e reja të Byrosë drejtuese të Shoqatës; si dhe programin trevjeçar 2019-2022 të veprimtarisë së Shoqatës.

Znj. Vitore Tusha zhvilloi një takim të veçantë me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kanadasë, z. Richard Wagner si dhe me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kanada, z. Ermal Muça.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.