Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadoren e Suedisë në Shqipëri, Sh S. Znj. Elsa Håstad, në kuadër të projektit “Forcimi i Integritetit Publik” që po zbatohet me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Ambasadorja shoqërohej në takim nga përfaqësues të ambasadës suedeze, si dhe përfaqësues të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Drejtori Ekzekutiv Z. Sotiraq Hroni. Po ashtu, në takim ishte e pranishme edhe znj. Eralda Met’hasani Cani, pedagoge dhe eksperte e projektit.
Në këtë takim u vlerësua se Kodi i Etikës për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, i miratuar nga Mbledhja e Gjyqtarëve të kësaj Gjykate dhe i hartuar në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, erdhi si një nevojë e kohës, me qëllim hartimin e një dokumenti me natyrë vetërregulluese, këshilluese dhe orientuese, i cili përmban standarde etike për gjyqtarët kushtetues. Kodi i Etikës synon jo vetëm konsolidimin e vlerave profesionale, parimeve të ligjshmërisë, forcimit të sistemit të menaxhimit të integritetit institucional, por edhe që zbatimi i tij të jetë i dukshëm dhe i prekshëm edhe nga publiku i gjerë.
Po ashtu, gjate takimit u evidentua jo vetëm rëndësia që kanë dokumente të kësaj natyre, por edhe nevoja e përditësimit të vazhdueshëm të tyre në përputhje me kërkesat e kohës dhe zhvillimet dinamike të shoqërisë.