Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Takimi i 18-të i Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, Romë, Itali, 23 - 25 maj 2019

Me ftesë të Komisionit për Demokracinë nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm, znj. Noela Ruço, nëpunëse ndërlidhëse e Komisionit të Venecias dhe Drejtore e Studimeve, Botimeve dhe Publikimeve, si dhe znj. Alma Çomo, Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, morën pjesë në Takimin e 18-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese. Ky takim, si dhe mini-konferenca me temë “Pavarësia e Gjyqësorit, Roli i Gjykatave Kushtetuese”, u zhvilluan në Gjykatën Kushtetuese të Italisë dhe u pasuan nga një program social që përfshiu edhe një guidë të udhëhequr në ambientet e kësaj gjykate. Veprimtaritë e përmendura më lart u zhvilluan në Romë, Itali, nga data 23 – 25 maj 2019.
 
Ky takim u hap dhe u përshëndet edhe nga Kryetari i Komisionit të Venecias, zoti Gianni Buquicchio, duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit, si dhe shkëmbin e përvojave e informacioneve mes përfaqësuesve të grupeve rajonale dhe gjuhësore, të cilët bashkëpunojnë me Komisionin e Venecias. 
 
Këshilli u informua gjithashtu rreth veprimtarisë së Komisionit të Venecias dhe të opinioneve të miratuara nga ky Komision në fushën e drejtësisë kushtetuese, si dhe rreth pjesëmarrjes dhe organizimit të përbashkët të konferencave dhe seminareve në bashkëpunim me gjykatat kushtetuese.
 
Gjatë kësaj veprimtarie, Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zoti Eugen Papandile zhvilloi takime zyrtare edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit të Venecias, zotin Thorbjørn Jagland, si dhe me zotin Umberto Zingales, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Italisë. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për situatën aktuale të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe për proceset reformuese të sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

© 2018 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.