Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Vizitë zyrtare e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 10 – 17 Maj 2015

Në datat 10 – 17 Maj 2015 Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari Dedja ishte i ftuar nga Universitetet Seton Hall University - School of Diplomacy and International Law dhe George Washington University Law School. Në fjalën e mbajtur para trupës akademike dhe studentëve të këtyre universiteteve, Kryetari Dedja bëri një prezantim të shkurtër të  transformimeve demokratike të vendit tonë pas viti 1991’, të sistemit të qeverisjes në Shqipëri, si dhe më specifikisht trajtoi rolin e rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese në promovimin e vlerave kushtetuese nëpërmjet kontrollit kushtetues.

Në kuadër të kësaj vizite në SHBA, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi një seri takimesh zyrtare me institucione të drejtësisë në nivel shtetëror dhe federal: në Gjykatën e Lartë të Distriktit (D.C. Superior Court) me Kryetarin e kësaj gjykate z. Satterfield;  në Departamentin e Shtetit, Byroja për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punës, me zëvendës Drejtorin e Zyrës për Çështjet Europiane, z. Jaroslav Anders; në Departamentin e Shtetit, Byroja për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, me Drejtorin e Zyrës së Çështjeve të Europës Qendrore dhe Jugore (EUR/SCE), z. Thomas K. Yazdgerdi; në Gjykatën e Apelit për Qarkun Federal të SHBA, me Kryetaren e kësaj Gjykate, znj. Patricia Campbell-Smith; në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (U.S. Supreme Court, Washington D.C.) me gjyqtaren Ruth Bader Guinsburg.

Në këto takime, Kryetari Dedja bashkëbisedoi me zyrtarët e lartë mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe rolin e saj  në garantimin e shtetit të së drejtës, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve,  dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Vizita e Kryetarit Dedja në Bibliotekën e Kongresit dhe takimet në Bibliotekën e Literaturës Ligjore me drejtues të lartë të saj u zhvilluan në një atmosferë të ngrohtë e miqësore. Në to u bisedua gjetja e rrugëve të bashkëpunimit mes këtij institucioni prestigjioz dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë lidhur me shfrytëzimin e literaturës në fushën e kontrollit kushtetues. 

Në një tryezë të rrumbullakët bisedimesh dhe më pas në një darkë të organizuar në Silver Spring, (Maryland) me Senatorin e Shtetit të Marylandit, zotin Jamie Raskin u diskutuan çështje të drejtësisë kushtetuese.

Takime shumë të rëndësishme u zhvilluan në Komisionin e Helsinkit me këshilltarë politikash, përfaqësues të programit USAID dhe të German Marshall Fund, si dhe në Institutin Ndërkombëtar Ligjor (ILI), ku përveç anëtarëve të bordit drejtues dhe stafit të Institutit, morën pjesë edhe ekspertë nga Akademia Ndërkombëtare Ligjore dhe  Banka Botërore.

Vizita zyrtare e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në SHBA u mbyll me një takim tejet miqësor në Qendrën Shqiptare të Kulturës në New Jersey.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.