| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Vizitë zyrtare pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga trupa e gjyqtarëve dhe i kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate, Z. Bashkim Dedja, zhvilloi një vizitë zyrtare zyrtare në Republikën e Kosovës.

Fillimisht, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, dhe disa prej gjyqtarëve të saj, u prit në një takim zyrtar nga Presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi. Gjatë këtij takimi, Presidenti dhe Kryetarët e dy gjykatave kushtetuese theksuan nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve kushtetuese, duke nënvizuar rolin që ato kanë në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Në përfundim të takimit, Presidenti Krasniqi dhe Kryetari Dedja dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën Presidenti përmendi momentin e veçantë që po kalon aktualisht Republika e Kosovës, ndërkohë që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë shprehu vlerësimin e tij për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke evidentuar faktin se ndonëse mjaft e re në moshë ajo ka ditur të thotë fjalën e saj, duke e pozicionuar veten si një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit kosovar.

Po ashtu, në kuadër të veprimtarive të planifikuara me rastin e kësaj vizite u organizua edhe një seminar i përbashkët me temë: "Subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe veçoritë që paraqiten në praktikë në secilin rast," në punimet e të cilit morën pjesë, krahas gjyqtarëve të të dy gjykatave kushtetuese, edhe punonjës të administratës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.  Në seminar, pas fjalës së referuar nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Admir Thanza, pjesëmarrësit debatuan gjerësisht rreth temës dhe, në veçanti, u ndalën në rolin e gjykatave të zakonshme për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet kontrollit incidental.

Gjithashtu, gjatë ditëve të qendrimit në Kosovë, trupa e gjyqtarëve kushtetues të Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, në të cilën Zëvendëskryetarja, Znj. Emine Mustafa, bëri një ekspoze të veprimtarisë aktuale të kësaj gjykate, ndërsa Kryetari Dedja u ndal te rasti shqiptar lidhur me kontrollin kushtetues të kërkesave individuale për proces të rregullt pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Lartë.

Delegacioni shqiptar zhvilloi gjatë ditës së fundit të qendrimit në Kosovë edhe një takim në Gjykatën e Qarkut Pejë. Në këtë takim, Kryetari i kësaj gjykate, Z. Salih Mekaj, bëri një prezantim të aspekteve aktuale të organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor, si dhe të ndryshimeve të pritshme me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pushtetin gjyqësor.
Një falënderim i veçantë shkon për Fondacionin “Hanns Seidel” si mbështetësi kryesor i kësaj veprimtarie.

 

© 2018 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.