Me rastin e 25 vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Shqipërisë organizuan Konferencën Ndërkombëtare me temë “25 vjet të Kushtetutës Shqiptare”, e cila u zhvillua ne Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit, në datën 27 nëntor 2023.
Në këtë aktivitet jubilar, krahas personaliteteve më të larta të shtetit, morën pjesë kryetarë/gjyqtarë të gjykatave kushtetuese homologe,përfaqësues nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut,konstitucionalistë të shquar, akademikë,përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera të pavarura në Shqipëri etj.
Punimet e Konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të Sh. S. Znj. Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, Presidenti i Republikës, znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, si dhe anëtari i Komisionit të Venecies dhe gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Principatës së Lichtenstein, z. Peter Bußjäger.
Në fjalën e saj, Kryetarja Zacaj, pasi vuri theksin në atë që përfaqëson Kushtetuta për historinë e popullit tonë dhe aspiratat për të ardhmen e tij evropiane, theksoi rolin e Gjykatës Kushtetuese si rojtare dhe interpretuesja e fundit e Kushtetutës në zhvillimin e demokracisë dhe të drejtësisë kushtetuese, duke qenë ajo e përgjegjshme për ndikimin që ka në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të vendit. Ajo bëri thirrje për të gjitha palët që të pranojnë verdiktin e saj, duke qenë kjo sjellja e duhur, e nevojshme dhe e vetme për të zbatuar Kushtetutën.
Konferenca i vijoi punimet me sesionin me temë “Një mesazh për Kushtetutën”, gjatë të cilit referuan kryetarë të Gjykatave kushtetuese homologe, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, si dhe akademikë të shquar dhe anëtarë të komisionit parlamentar për hartimin e Kushtetutës.
Aktiviteti u pasua nga një program social, i cili ju dha mundësinë të ftuarve të njihen me një pjesë të historisë, traditave dhe bukurive natyrore të vendit tonë.