Me ftesë të Qendrës AIRE dhe Civil Rights Defenders, gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Elsa Toska, mori pjesë në Forumin e 10-të Rajonal të Shtetit të së Drejtës, i cili u zhvillua në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë, në datat 10 dhe 11 nëntor 2023.
Forumi i këtij viti u fokusua në temën "Gjyqtarët dhe mbrojtja e të dhënave" dhe diskutimet u përqëndruan kryesisht në nenin 8 të Konventës, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, në kontekstin e proceseve gjyqësore, duke marrë në konsideratë masat mbrojtëse sipas nenit 6, të drejtën për një proces te rregullt gjyqësor.
Kjo përfshin edhe krijimin e një balance midis kërkesës për një proces gjyqësor transparent dhe kërkesës për të mbrojtur të drejtën e jetës private të palëve të përfshira në proces, duke marrë parasysh përshtatshmërinë dhe nevojën e anonimizimit të gjykimeve dhe, kur është e lejuar, pranimin dhe/ose mbështetjen në përgjime apo të dhëna nga komunikimet elektronike.
Çështje të kësaj natyre janë aktuale në të gjithë Europën, pasi teknologjia është gjithnjë në zhvillim e sipër e për rrjedhojë transformon mënyrën se si çështjet hetohen dhe ndiqen penalisht apo dhe mënyrën se si kryehen procedurat gjyqësore.