| Bookmark and Share

Viti jubilar i Gjykatës Kushtetuese.

Data 19 maj 1992 është një ditë e shënuar në historinë e drejtësisë kushtetuese. Kjo datë lidhet me fillimin e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila u krijua në kuadrin e dispozitave kryesore kushtetuese dhe të legjislacionit në fuqi që e shoqëroi atë gjatë funksionimit. Me rastin e 30-Vjetorit të krijimit të saj, Gjykata Kushtetuese do të organizojë disa aktivitete të cilat do të zhvillohen në vjeshtën e këtij viti.

Është rasti që të shprehen vlerësimet më të larta për të gjithë anëtarët e Gjykatës ndër vite si dhe kryetarët e saj që kanë punuar me përkushtim për t’i dhënë asaj autoritetin e një Gjykate të standardeve dhe parametrave që gëzojnë sot simotrat e saj.

Në këtë ditë historike për drejtësinë kushtetuese shqiptare mendja të shkon edhe tek ata që hodhën themelet e drejtësisë kushtetuese. Disa prej tyre nuk jetojnë më, por kanë lënë gjurmë nëpërmjet vendimeve të kësaj Gjykate dhe në këtë datë jubilare kujtimi i tyre bëhet edhe më kuptimplotë.

Gjithashtu, trupa aktuale e Gjykatës është e vendosur që të vijojë në këtë rrugë dhe konsolidojë rolin e saj të qenësishëm në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të parimeve kushtetuese si ndarja dhe balancimi i pushteteve, shteti i së drejtës, demokracia dhe epërsia e Kushtetutës.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.