| Bookmark and Share

20 Vjetori i krijimit të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në 7 qershor 2012, festoi 20 vjetorin e krijimit të saj. Në kuadrin e këtij përvjetori, në datat 7-8 qershor 2012, Gjykata Kushtetuese organizoi Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Ndarja dhe balancimi i pushteteve – roli i kontrollit kushtetues”.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar dhe morën pjesë delegacione nga gjykatat kushtetuese të disa vendeve të Evropës, Azisë dhe Afrikës si dhe nga shoqata “Lawyer-Advocates Internationales”, SHBA. Gjithashtu, në sesionet e punimeve të konferencës ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore, ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, konstitucionalistë të njohur dhe përfaqësues të gjyqësorit në Shqipëri.

Në konferencë ishte i ftuar dhe mori pjesë një delegacion i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate, Sir Nicolas Bratza.

Gjithashtu ishte i pranishëm në konferencë dhe Z. Gianni Buquicchio, President i Komisonit të Venecias.

Në ceremoninë e hapjes së Konferencës morën pjesë drejtuesit kryesorë të shtetit, Presidenti i Republikës, Z.Bamir Topi, Kryetarja e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli dhe Kryeministri i vendit Z. Sali Berisha, të cilët përshëndetën dhe dhanë mesazhet e tyre në 20-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese.

Punimet e Konferencës i hapi Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z. Bashkim Dedja, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, bëri një paraqitje të veprimtarisë dhe të vendimmarrjes së institucionit gjatë këtyre viteve.

“Gjykata Kushtetuese ka përgjegjësinë për të shqyrtuar dhe për të marrë përsipër risqe për t’iu përgjigjur problemeve që u shtrohen demokracive të reja, për t’iu përgjigjur interesave madhore, në një rrafsh shumë më të gjerë se ai kombëtar dhe për të shmangur apo ulur tensione të ndryshme sociale apo politike” theksoi Z. Bashkim Dedja në fjalën e tij.

Më pas konferencën e përshëndetën drejtuesit më të lartë të shtetit.

" Roli i Gjykatës Kushtetuese është padyshim, tejet i rëndësishëm, por vendimet që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës apo ndarjen e pushteteve janë ato që marrin një rëndësi të veçantë, pasi lidhen me vetë suksesin e modelit të shtetit që duam të ndërtojmë apo konsolidojmë. Të tilla vendime që kanë ndikim në sistemin politik dhe institucional të një vendi kërkojnë pavarësi mendimi dhe integritet profesional, kërkojnë forcë argumenti dhe arsyetim mbi presionet politike të momentit..... Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund t'u konformohen të gjitha bindjeve në shoqëri, por detyrimi i shoqërisë dhe i shtetit është të respektojë institucionet që kanë autoritetin e dhënë nga Kushtetuta për interpretimin përfundimtar të saj.... ", tha në fjalën e tij Z. Bamir Topi.

"Këto vendime kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë ligjvënëse dhe kontrollit parlamentar, si elementë thelbësorë të performancës parlamentare. Jurisprudenca kushtetuese ka shërbyer si instrument i nevojshëm për rregullimin e kooperimit ndërinstitucional dhe respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues si dhe nxitës për përmirësimin e mëtejshëm të jetës midis institucioneve. ", tha në fjalën përshëndetëse Znj. Jozefina Topalli.

"Dua t’ju përgëzoj për kontributin e çmuar që keni dhënë në plotësimin e vakuumeve në Kushtetutën e vendit..... Në tërësi, pavarësisht nga vështirësitë, pavarësisht nga debatet, nga dritëhijet, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka përmbushur me dinjitet të plotë këtë rol dhe, pa rolin e saj, Shqipëria nuk do të mund të kishte një demokraci funksionuese." iu drejtua të pranishmëve në konferencë Kryeministri, Z. Sali Berisha.

Në vazhdim të Konferencës përshëndetën Sir Nicolas Bratza, Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Z. Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias si dhe Z. Klaus Fiesinger, Drejtor i Departamentit për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazin dhe Azinë Qendrore, nga Fondacioni “Hanns Seidel”.

Punimet e Konferencës vazhduan me referate të përfaqësuesve të delegacioneve të huaja, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si dhe te konstitucionalistëve dhe juristëve të njohur, shqiptarë dhe të huaj.

Gjatë ditëve të zhvillimit të konferencës, për nder të të ftuarve, u zhvilluan dhe aktivitete të ndryshme sociale dhe kulturore.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.