Sot, më 15 shkurt 2022, në ambientet e hotel Rogner-Europa park, u organizua ceremonia e promovimit të librit “Vendime të përzgjedhura të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane”, të përkthyera në gjuhën shqipe. Ky është botimi i dyti i këtij lloji dhe vjen si një përditësim i botimit të mëparshëm, i pasuruar ndërkohë edhe me vendime të tjera të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane që nga viti 2009 e deri më sot.
Të pranishëm në këtë veprimtari, e cila u organizua me mbështetjen e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, ishin trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, znj. Sibylle Kessal-Wulf, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, Drejtori i Programit të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore i Fondacionit Konrad Adenauer, z. Pavel Usvatov, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, SH.T.Z. Peter Zingraf, si dhe znj. Aulona Hazbiu, konsulente për ‘rule of law’ dhe lektore universiteti.
Në fjalën e mbajtur në hapje të këtij aktiviteti, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, e vuri theksin në përvojën dhe jurisprudencën e shkëlqyer të krijuar nga Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane, e cila është kthyer në një prej gjykatave me më shumë influencë në botë për sa i përket gjykimit kushtetues, si dhe mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave themelore të njeriut. Po ashtu, Kryetarja Tusha u ndal te impakti që kjo gjykatë ka pasur në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, e cila i është referuar në jo pak raste jurisprudencës së pasur gjermane, veçanërisht sa i takon ankimit kushtetues individual.
Për të pranishmit referoi edhe znj. Sibylle Kessal-Wulf, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane. Gjatë fjalës së saj, gjyqtarja Kessal-Wulf bëri një përshkrim të detajuar të rolit dhe veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të publikut te ky institucion i rëndësishëm. Në funksion të këtyre qëllimeve, gjyqtarja evidentoi qëndrimin e gjykatës për sa i përket pandryshueshmërisë së parimeve thelbësore të sanksionuara në Kushtetutën gjermane, sikurse janë shteti i së drejtës, demokracia, federalizmi, dinjiteti i njeriut etj. Gjithashtu, ajo u ndal në rëndësinë që mbart promovimi i dialogut me gjykatat kushtetuese simotra në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të jurisprudencës, si dhe i dialogut me publikun dhe median me qëllim krijimin e një perceptimi sa më të saktë lidhur me veprimtarinë e saj vendimmarrëse.
Takimi vijoi më pas me pyetje dhe diskutime mes gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqiptare dhe gjyqtares gjermane për të ndarë së bashku idetë dhe eksperiencat respektive në fushën e gjykimit kushtetues.