| Bookmark and Share

Konferencë Ndërkombëtare me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, 20 Tetor 2017

Në datën 20 tetor 2017, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë organizoi konferencën ndërkombëtare me temë “Europianizimi i së drejtës kushtetuese dhe konstitucionalizmi i së drejtës europiane – sfidat e së ardhmes”. Ky aktivitet i rëndësishëm, i cili mblodhi së bashku personalitete të shumta, presidentin e Komisionit të Venecias, kryetarë të gjykatave kushtetuese europiane dhe të gjykatave të juridiksionit përfundimtar, u organizua me ndihmën e çmuar të fondacioneve “Hanns Seidel” dhe “Soros” dhe u përshëndet nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, si: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, i cili në fjalën e tij vlerësoi punën e kësaj gjykate në vite, që ka arritur të krijojë një praktikë shteruese në ushtrimin korrekt të kompetencave të pushteteve, në mënyrë të ndarë, të balancuar, dhe duke shmangur përqendrimin e tepruar të pushtetit në një dorë; Kryeministri i Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, që shprehu se nëse ka një institucion të gjyqësorit shqiptar, ku sot mund të hyhet pa të ardhur turp, ajo është pikërisht Gjykata Kushtetuese; Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Gramoz Ruçi, i cili tha se e rëndësishme është se Gjykata Kushtetuese e performancës 2016, vjen me kompetenca më të zgjeruara dhe tashmë do të mund të konsiderohet tërësisht gjykatë e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, konferenca ndërkombëtare u përshëndet edhe nga Presidenti i Komisionit të Venecias, zoti Gianni Buquiccio dhe kryetarja e fondacionit “Hanns Seidel”, zonja Ursula Männle, e cila në emër të institucionit falënderoi për bashkëpunimin, duke garantuar mbështetjen për zhvillimin e mëtejshëm të pozicionit dhe statusit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Konferenca njëditore  u nda një tri sesione, të cilat u moderuan  respektivisht nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, zoti Bashkim Dedja, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, zoti Zühtü Arslan dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, zoti Kristaq Traja.

Në sesionin e parë prezantuan zoti Michal Bobek, avokat i përgjithshëm në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian, zoti Rainer Arnold, shef i katedrës “Jean Monnet” të së Drejtës,  zonja Simmona-Maya Teodoroiu, anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, zoti Winfried Schubert, kryetar i  Gjykatës Kushtetuese të Landit SachsenoAnhalt, Gjermani.  Në sesionin e dytë prezantan zonja Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, zoti Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe ish-anëtar i  Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zoti Zlato M. Knežević, zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes dhe Hercegovinës, zoti Vladimir Sládeček, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Çekisë, zonja Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në në sesionin e tretë dhe përmbyllës të konferencës prezantuan zoti Nikola Ivanovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, zoti Matej Accetto, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, zoti Sokol Berberi, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zoti Oleksandr Tupytskyi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës.

Konferenca u pasua nga programi social, i cili ju dha mundësinë pjesëmarrësve të njihen me historinë, traditat  dhe bukuritë natyrore të vendit tonë.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.