| Bookmark and Share

Cila është procedura për shqyrtimin paraprak të kërkesës?

Kërkesa që plotëson kriteret ligjore regjistrohet në regjistrin e posaçëm dhe i dorëzohet Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili merr masat për caktimin me short të relatorit të çështjes dhe këshilltarit të çështjes.
Relatori së bashku me këshilltarin marrin masat për përgatitjen e çështjes për shqyrtim në Kolegj.
Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese shqyrtohet paraprakisht nga Kolegji, i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku bën pjesë dhe relatori.
Kolegji mund të vendosë:

  • moskalimin e kërkesës për shqyrtim në seancë plenare;
  • kalimin e kërkesës për shqyrtim paraprak Mbledhjes së Gjyqtarëve;
  • kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Kur merr Gjykata vendim për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare?

Kolegji ose Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese vendos moskalimin e çështjes në seancë plenare nëse:

  • kërkimet e paraqitura në kërkesë nuk hyjnë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese;
  • kërkesa nuk është paraqitur nga subjekti që legjitimohet;
  • kërkesa është paraqitur nga një person i paautorizuar;
  • vërtetohet se kërkesa është paraqitur jashtë afatit ligjor;
  • kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose legjislacioni në fuqi parashikon mjete efektive në dispozicion;
  • kërkimet e paraqitura në kërkesë janë objekt i një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese ose rivendosja në vend e së drejtës së shkelur nuk është e mundur;
  • kërkesa është haptazi e pabazuar.

A mund të paraqiten disa kërkesa në Gjykatën Kushtetuese?

Kërkuesi nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të njëjtin objekt kërkimi dhe të njëjtat shkaqe të paraqitura më parë prej tij dhe që janë marrë në shqyrtim nga Gjykata, por vetëm nëse kërkesat e tij kanë objekte të ndryshme ose edhe në rast të një objekti të njëjtë, kur parashtron shkaqe të ndryshme nga ato të marra më parë në shqyrtim nga Gjykata. 
Gjykata Kushtetuese, kur konstaton se ndodhet para kërkesave abuzive ose të përsëritura, për të njëjtin shkak dhe objekt, megjithëse janë shqyrtuar më parë prej saj, urdhëron gjobitjen në shumën nga 100.000 – 500.000 lekë.
Kur Gjykata konstaton se ndodhet përpara rasteve të falsifikimit të dokumenteve ose ndonjë vepre tjetër penale, ajo njëkohësisht ia dërgon materialet për hetim prokurorisë.

A mund të paraqiten komente ose dokumente shtesë pas paraqitjes së kërkesës në Gjykatën Kushtetuese?

Kërkuesi dhe palët e tjera pjesëmarrëse mund të paraqesin komente ose materiale shtesë deri në momentin e vendimmarrjes së Gjykatës gjatë fazës së shqyrtimit paraprak dhe deri në afatin e caktuar në rast të shqyrtimit të çështjes në seancë plenare.
Dokumentet ose materialet e paraqitura pas këtij afati, nuk bëhen pjesë e dosjes gjyqësore, por i kthehen kërkuesit apo palës që i ka paraqitur ato.
Gjithashtu, kur shihet e domosdoshme, me kërkesën e pjesëmarrësve në gjykim ose kryesisht, edhe vetë Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë dokumente, të cilat kanë lidhje me çështjen në shqyrtim.

A mund të tërhiqet kërkesa e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese?

Kërkuesi, në çdo fazë të procesit, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, mund të kërkojë me shkrim pakësimin dhe shtimin e objektit të kërkimit ose heqjen dorë nga kërkesa.
Kur kërkohet heqja dorë nga kërkesa Gjykata vendos pushimin e gjykimit të çështjes, përveçse kur ajo vlerëson se shqyrtimi i çështjes paraqet interes publik.

A mund të tërhiqen dokumentet e dorëzuara bashkëlidhur kërkesës?

Dokumentet e dorëzuara bashkëlidhur kërkesës, të cilat mund të jenë origjinale ose fotokopje të noterizuara, edhe në rast të heqjes dorë nga kërkesa, nuk mund të tërhiqen pas paraqitjes së tyre në Gjykatë, pasi ato bëhen pjesë e dosjes gjyqësore që arkivohet.
Megjithatë, në çdo rast kërkuesi mund të kërkojë me shkrim nga Drejtoria Gjyqësore dhe e Dokumentacionit që t`i vihen në dispozicion kopje të këtyre dokumenteve.

Si mund të merret informacion në lidhje me fazën ku ndodhet kërkesa?

Kërkuesi mund të marrë informacion në lidhje me kërkesën pranë Drejtorisë Gjyqësore dhe të Dokumentacionit, me shkrim (nëpërmjet e-mail ose postës) ose me telefon, nëpërmjet të dhënave të kontaktit të bëra publike në faqen zyrtare të Gjykatës, ose duke u paraqitur personalisht pranë Gjykatës, çdo ditë pune, nga ora 08.00 – 16.00. Dita e shtunë dhe e dielë janë pushim.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.