| Bookmark and Share

Cila është shumica e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve dhe marrjen e vendimit?

Për shqyrtimin paraprak të çështjes Kolegji i Gjykatës përbëhet nga 3 anëtarë. Vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga Kolegji merret njëzëri.
Mbledhja e Gjyqtarëve ose Gjykata i shqyrton çështjet me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre (jo më pak se 6 anëtarë), kurse vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë  gjyqtarëve (të paktën 5 gjyqtarë).
Kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh për marrjen e vendimit, kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

A mund të kërkohet përjashtimi i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga një çështje e veçantë?

Si gjatë fazës së shqyrtimit paraprak, ashtu edhe gjatë fazës së gjykimit, palët mund të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit.
Në rast se kërkesa paraqitet para gjykimit të çështjes, për të vendos Mbledhja e Gjyqtarëve, ndërsa ku ajo paraqitet gjatë gjykimit, vendos shumica e gjyqtarëve që marrin pjesë në shqyrtimin e çështjes.
Gjyqtari për të cilin kërkohet përjashtimi nuk merr pjesë në votim.

A zhvillon Gjykata Kushtetuese një seancë publike para se të marrë vendim për çështjen?

Shqyrtimi paraprak i kërkesës bëhet në dhomë këshillimi, pa njoftuar zyrtarisht për datën dhe pjesëmarrjen e palëve.
Shqyrtimi i çështjes në seancë plenare bëhet si rregull në seancë publike, por Kolegji ose Mbledhja e Gjyqtarëve mund të vendosin zhvillimin e saj mbi bazë dokumentesh, pa pjesëmarrjen e palëve. Për shqyrtimin e çështjes në seancë publike apo mbi bazë dokumentesh, palët, në çdo rast, njoftohen për datën e seancës dhe afatin për paraqitjen e parashtrimeve dhe dokumenteve.
Gjykata mund të shqyrtojë edhe çështjen në seancë publike me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së moralit dhe rendit publik, sigurisë kombëtare, të mbrojtjes së të drejtës së jetës private ose të të drejtave vetjake. 

Sa zgjat zakonisht shqyrtimi i një çështjeje në Gjykatën Kushtetuese?

Shqyrtimi paraprak i çështjes nga Kolegji ose Mbledhja e Gjyqtarëve, si rregull, përfundon brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, përveçse kur ligji parashikon afate të tjera. Në lidhje me shqyrtimin e çështjes në seancë plenare, si rregull, ligji nuk parashikon afate të posaçme. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese i shqyrton çështjet brenda një afati të arsyeshëm, kurse vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës.
Kushdo që është palë në një proces që zhvillohet para Gjykatës Kushtetuese ose palë në një proces gjyqësor të pezulluar, si rrjedhojë e një kontrolli incidental ose shqyrtimi të kushtetutshmërisë së ligjit të iniciuar nga subjekte të tjera, dhe pretendon se gjykimi në këtë Gjykatë është zhvilluar tej afatit të arsyeshëm, ka të drejtë të kërkojë shpërblim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, nëse konstatohet se nga tejzgjatja e procesit atij i janë cenuar të drejtat dhe liritë e tij të parashikuara nga Kushtetuta.
Gjykata Kushtetuese, në çdo rast, vlerëson natyrën e procesit dhe të çështjes, si dhe rrethanat që kanë ndikuar në procesin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese. Ajo vendos për masën e dëmshpërblimit, duke iu referuar pasojave që i kanë ardhur kërkuesit nga tejzgjatja e procesit para saj.
Nëse Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se gjykimi është zgjatur tej afatit, pa shkak të arsyeshëm, atëherë ajo dëmshpërblen kërkuesin deri në masën 100.000 lekë për çdo vit vonesë.

A bëhet njoftim për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese?

Pas marrjes së vendimit për mospranimin e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, një kopje e tij i dërgohet kërkuesit në adresën e  përcaktuar prej tij në kërkesë.
Vendimet e marra nga Gjykata në përfundim të seancës plenare, i njoftohen zyrtarisht palëve në proces dhe një kopje dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.

A mund të ushtrohet ankim kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kundërshtohen me mjete të brendshme ankimi, por vetëm në GjEDNj. 

A jep Gjykata Kushtetuese një shpjegim shtesë për vendimin e saj?

Gjykata nuk jep sqarime ose shpjegime shtesë për vendimin e saj. Ajo ka të drejtë që, me kërkesë, të ndreqë gabimet në shkrim, në llogari ose ndonjë pasaktësi të dukshme të lejuar në vendim, pa ndryshuar thelbin e vendimmarrjes, brenda 2 muajve nga shpallja e vendimit.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.