| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

TË NJIHEMI ME GJYKATËN KUSHTETUESE

Çfarë është Gjykata Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese është organi që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe gëzon pavarësi të plotë organizative, administrative dhe financiare.
Detyra e saj është të sigurojë respektimin e Kushtetutës dhe të të drejtave themelore të individit. Vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Kur është krijuar Gjykata Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese është krijuar në vitin 1992, me ligjin kushtetues nr. 7561, datë 29.04.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991” “Për dispozitat kryesore kushtetuese”.

Cilat janë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese?

Gjykata shqyrton:

  • pajtueshmërinë e ligjit dhe të akteve normative të organeve qendrore e vendore me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare; pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
  • mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;
  • kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre;
  • shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij;
  • çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre;
  • kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
  • ankimet kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërndarjen ose shkarkimin e organeve të qeverisjes vendore;
  • ankimet kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e gjyqtarit ose prokurorit;
  • pezullimin nga detyra dhe shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (sipas nenit 179, pika 7, të Kushtetutës, gjatë mandatit 9-vjeçar, sipas nenit 179/b, juridiksioni disiplinor ndaj këtyre funksionarëve ushtrohet nga Kolegji i Apelimit); 
  • gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.

Sa gjyqtarë ka Gjykata Kushtetuese dhe si zgjidhen ata?

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 gjyqtarë.
Tre gjyqtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe tre zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Kur mbaron mandati i një gjyqtari kushtetues?

Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij, me përjashtim të rasteve kur jep dorëheqjen, shkarkohet nga detyra, vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë së tij në ushtrimin e funksionit si dhe kur vërtetohet fakti i pamundësisë së tij për të ushtruar detyrën.

Çfarë kualifikimi duhet të ketë një gjyqtar kushtetues?

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.

A mban përgjegjësi disiplinore gjyqtari kushtetues?

Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore për shkaqet e parashikuara në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese.
Shqyrtimi i shkeljes disiplinore kryhet nga Komisioni Disiplinor, i përbërë nga 3 gjyqtarë të caktuar me short, ku nuk marrin pjesë gjyqtarët që kanë qenë pjesë në mbledhjen e fakteve dhe provave.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.