Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Konferencën ndërkombëtare të Gjykatës Kushtetuese të Federatës Ruse si dhe në Forumin e IX-të Ligjor Ndërkombëtar të Shën Petërsburgut, 14 - 18 maj 2019.

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë dhe Forumit Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga znj. Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, si dhe znj. Fiona Papajorgji dhe znj. Olta Aliaj, këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Federatës Ruse, me temë “Identiteti Kushtetues dhe Vlerat Universale: Arti i gjetjes së Balancës”, e cila startoi edhe punimet e Forumit të IX-të Ligjor Ndërkombëtar të Shën Petërsburgut. Veprimtaritë e sipërpërmendura u zhvilluan në Shën Petërsburg, Federata Ruse, në datat 14 – 18 maj 2019.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin më shumë se 120 anëtarë të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve të drejtësisë të mbi 40 vendeve, përfaqësues të organeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (si Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut) si dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Gjatë Konferencës u diskutuan çështje të tilla si: identiteti kushtetues dhe sfidat e gjykimit kushtetues brenda kontekstit të ndryshimeve globale dhe të tendencës aktuale të populizmit, kërkimi i balancës midis vlerave kombëtare dhe universale si dhe tema të tjera relevante.

Në 16 maj 2019, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Federatës Ruse, zoti Valery Zorkin, mbajti një leksion publik për pjesëmarrësit e Forumit të 9-të Ligjor me temë: “Ligji i metamodernizmit: krijimi i problemit", kushtuar çështjeve aktuale të ligjit dhe demokracisë. 

Gjatë punimeve të Forumit të 9-të Ligjor Ndërkombëtar u shkëmbyen përvoja në fushën e përmirësimit të jurisprudencës dhe të modernizimit të saj në kohën e ndryshimeve globale, si dhe u diskutuan çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zbatimit të ligjit.
 

 
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.