Kryetari i Gjykatës Kushtetuese z. Bashkim Dedja ka pritur sot në një takim zyrtar juristin e njohur gjerman, Prof. Dr. Jochen Abr.Frowein, profesor nderi dhe ish-drejtor i Institutit “Max Planck” për të Drejtën Publike të Krahasuar dhe të Drejtën Ndërkombëtare, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë disaditore, me ftesë të Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”.
Z. Dedja pasi vlerësoi kontributin që Instituti “Max Planck” ka dhënë ndër vite për formimin profesional të juristëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, e njohu shkurtimisht profesorin gjerman me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe në vazhdim u shkëmbyen ide për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Ky takim është zhvilluar në vijim të një seminari, gjatë të cilit Prof. Dr. Jochen Abr.Frowein mbajti referatin me temë “Gjykata Kushtetuese Gjermane dhe e Drejta Evropiane”, në prani të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.