| Bookmark and Share

Takim i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me një delegacion të Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, 8 nëntor 2018

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate një delegacion të Gjykatës së Kasacionit të Turqisë i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadër të bashkëpunimit me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.

Delegacioni kryesohej nga Kryetari i Parë i Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, z. İsmail Rüstü Cirit, dhe përbëhej nga disa Kryetarë të Kolegjeve Civile dhe Penale të kësaj gjykate, gjyqtarë, gjyqtarë relatorë, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i gjykatës.

Kryetari Dedja i njohu anëtarët e delegacionit turk me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si dhe me problemet aktuale me të cilat ajo po përballet në kuadër të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, zoti İsmail Rüştü Cirit, e vlerësoi reformën në gjyqësorin shqiptar si një proces të vështirë dhe inkurajoi rifillimin sa më shpejt të procesit të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdim të takimit të dy kryetarët shprehën vlerësimet reciproke tejet pozitive në lidhje me bashkëpunimin e shkëlqyer institucional që ekziston mes dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe njëherazi vullnetin e mirë për vazhdimësinë e tij.

Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Xhezair Zaganjori, si dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Murat Ahmet Yȫrük.
 
 
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.