Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, ka pritur sot në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Joseph O’Reilly (përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane/Irlanda) dhe z. Asim Mollazada (përfaqësues i Grupit Parlamentar të Konservatorëve dhe Aleancës Demokratike/Azerbajxhani), të cilët ndodhen në vendin tonë në kuadër të një vizite treditore. Bashkëraportuesit ishin të shoqëruar nga z. Bas Klein, Zëvendësshef i Sekretariatit të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe nga znj. Jutta Gützkoë, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë.
Gjatë takimit u diskutua rreth sfidave me të cilat u përball Gjykata Kushtetuese në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë dhe problemet e lindura nga procesi i vetting-ut. Ringritja e Gjykatës, evadimi i të gjitha çështjeve të prapambetura dhe plotësimi i trupës së saj me anëtarë të rinj ishin disa nga temat e tjera që u trajtuan në vijim të këtij takimi.
Në bashkëbisedim u vlerësua rëndësia që kanë për shtetin e së drejtës dhe demokracinë, pavarësia institucionale e Gjykatës Kushtetuese si dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.