Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga z. Sandër Beci, gjyqtar, znj. Vilma Premti, Drejtore e Kabinetit të Kryetares, si dhe znj. Noela Ruço, këshilltare ligjore, ka zhvilluar një vizitë pune dy - ditore pranë Gjykatës Kushtetuese të Italisë, në datat 25 – 26 shtator 2024.
Në ditën e parë të kësaj vizite, delegacioni është pritur në një takim zyrtar nga Prof. Augusto Antonio Barbera, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Italisë, Dr. Giovanni Amoroso, Zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Francesco Viganò, gyqtar, dhe z. Umberto Zingales, Sekretar i Përgjithshëm. Gjatë takimit, Kryetarët kanë evidentuar marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit bilateral, të cilat janë konkretizuar edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët mes dy gjykatave. Po ashtu, palët kanë shprehur vullnetin e mirë dhe angazhimin për ta përforcuar edhe më tej këtë bashkëpunim, duke marrë në konsideratë afrimitetin dhe ngjashmërinë mes dy sistemeve tona kushtetuese dhe juridike.
Në vijim, me qëllim krijimin e pikave të kontaktit në funksion të shkëmbimit të përvojave në lidhje me jurisprudencat respektive dhe vendim-marrje të caktuara, delegacioni ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e strukturës kërkimore pranë Gjykatës Kushtetuese italiane, z. Riccardo Nevola, gjatë të cilit është diskutuar mbi tematika të rëndësishme që prekin jo vetëm veprimtarinë e përditshme të gjykatave, por edhe jurisprudencën kushtetuese në përgjithësi.