16-17 tetor 2020
Me ftesë të Qendrës AIRE (Advice on Individual Rights in Europe) dhe Civil Rights Defenders, Gjykata Kushtetuese mori pjesë në Forumin e Shtatë Rajonal për Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore, i cili i zhvilloi punimet online, në datat 16-17 tetor 2020. Gjykata Kushtetuese u përfaqësua në këtë forum nga znj. Elsa Toska, gjyqtare, z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm, znj. Jonida Kondili dhe z. Ermal Tauzi, këshilltarë ligjorë.
Pjesëmarrësit e tjerë në forum ishin përfaqësues të Bosnjes dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të GJEDNJ-së.
Qëllimi i Forumit është promovimi i bashkëpunimit rajonal midis gjyqtarëve të rajonit pranë GJEDNJ-së, përfaqësuesve të Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta nga rajoni, përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, drejtorëve të akademive të trajnimeve gjyqësore, përfaqësuesve të OJF-ve si edhe ekspertëve ligjorë të shquar, të cilët diskutojnë rreth problemeve, ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira për një zbatim efektiv në nivel kombëtar të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Diskutimet këtë vit u përqëndruan në trajtimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19 dhe impaktin mbi të drejtat e njeriut. Konkretisht u trajtuan të drejtat e parashikuara nga Konventa që preken nga pandemia Covid-19, si e drejta e jetës, e drejta për liri dhe siguri dhe liria e lëvizjes, sfidat për funksionimin e duhur të gjyqësorit gjatë pandemisë, respektimi i jetës private dhe liria e fesë, liria e shprehjes, e tubimit dhe e organizimit, e drejta për arsim, mbrojtja e pronave dhe zgjedhjet e lira. Gjatë diskutimeve u trajtuan detyrimet pozitive dhe negative të shteteve, si dhe derogimet nga Konventa në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Gjithashtu, me këtë rast u prezantua edhe botimi “Covid-19 dhe Impakti mbi të Drejtat e Njeriut, Shikim i Përgjithshëm mbi jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Botimi është rezultat i bashkëpunimit mes juristëve të lartë të Qendrës AIRE dhe ish-gjyqtarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Ledi Bianku.