Hapja e Vitit të Shtatë Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, 26 Tetor, 2016
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, zonjës Arta Rama- Hajrizi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zoti Bashkim Dedja, i shoqëruar nga Drejtori i Kabinetit zoti Aleksandër Toma, mori pjesë në Ceremoninë solemne të Vitit të Shtatë Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila u zhvillua në Prishtinë në datën 26 tetor 2016. Ashtu si çdo vit në këtë ceremoni morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit të Kosovës, përfaqësues të akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë të Gjykatave Kushtetuese të rajonit (Shqipëri, Maqedoni, Turqi, Kroaci, Portugalisë, Bullgarisë, Malit të Zi).
Me rastin e hapjes së vitit të ri gjyqësor Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës organizoi në datën 27 tetor 2016 Konferencën ndërkombëtare me temë: “Kontrolli incidental si mekanizëm kushtetues në sigurimin e kushtetutshmërisë së ligjeve në vendet në tranzicion”.
Pas fjalimit kryesor të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, zonjës Arta Rama-Hajrizi, lidhur me kontrollin incidental në fushëveprimin e Gjykatës Kushtetuese, rreth temës së kontrollit incidental folën edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zoti Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, zoti Xhezair Zaganjori, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, zonja Elena Gosheva, si dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese të Portugalisë, të Turqisë dhe të Bullgarisë.