Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga e gjithë trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtori i Kabinetit, si dhe disa prej këshilltarëve ligjorë, po merr pjesë në Konferencën me temë: “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës : përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”.
Ky aktivitet, i mbështetur edhe nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), ka mbledhur së bashku gjykatat kushtetuese dhe të larta të Shqipërisë dhe Kosovës me synimin e trajtimit krahasimor dhe gjithëpërfshirës të rolit dhe të kompetencave të të dy juridiksioneve duke iu referuar edhe kuadrit ligjor gjerman dhe atij europian, si dhe identifikimin e sfidave dhe praktikave më të mira dhe mënyrave të zgjidhjes në kontekstin shqiptar dhe atë kosovar.
Gjatë ditës së parë të kësaj veprimtarie dy ditore, në hapje të së të cilës përshëndeti edhe znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, u trajtuan temat: (1) “Kompetenca e gjykatave kushtetuese dhe roli i gjykatave të rregullta në interpretimin kushtetues të ligjeve (në kontekstin e kontrollit incidental të normave), si dhe (2) “Interpretimi dhe zbatimi qartazi i gabuar i ligjit nga gjykatat e rregullta: Vlerësimi nga këndvështrimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme, duke u mbështetur në praktiken gjyqësore të GJEDNJ-së.” Për secilën prej tyre pati referime nga ekspertë gjerman dhe përfaqësues të gjykatave pjesëmarrëse. Për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë referuan gjyqtarët Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari.
Gjatë ditës së dytë të konferencës së përbashkët u trajtuan temat: (1) Divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta dhe siguria juridike si pjesë përbërëse e një gjykimi të drejtë: Fusha e kompetencës së Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave Supreme në lidhje me konsolidimin e jurisprudencës vendore në dritën e vendimeve të GJEDNJ-së, si dhe (2) Roli i gjykatave të rregullta në zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin për shkeljet e të drejtave të njeriut. Për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë referoi Kryetarja Vitore Tusha. Dhe gjatë sesionit te katërt te moderuar nga gjyqtari Përparim Kalo, referoi gjyqtarja Sonila Bejtja.