| Bookmark and Share

Konferencë rajonale “Bashkëpunimi në arritjen e qëllimit: Institucionet e Avokatit të Popullit dhe Gjyqësori për mbrojtjen e të drejtave të njeriut – praktikat më të mira evropiane dhe përvoja rajonale”, Prishtinë, Kosovë, 4 dhjetor 2013

Në datën 4 dhjetor 2013, në Prishtinë, Kosovë, u zhvillua Konferenca rajonale “Bashkëpunimi në arritjen e qëllimit: Institucionet e Avokatit të Popullit dhe Gjyqësori për mbrojtjen e të drejtave të njeriut – praktikat më të mira evropiane dhe përvoja rajonale”, e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
 
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua në këtë konferencë nga znj. Kaliona Nushi, këshilltare e gjyqtarëve.
 
Objektivi i kësaj Konference ishte që përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ndanin e shkëmbenin përvojat, sfidat dhe praktikat e tyre.
 
Konferenca ofroi një forum për diskutim për modelet e ndryshme të ndërveprimit midis Avokatit të Popullit dhe gjyqësorit dhe objektivat e saj ishin krahasimi i përvojave të Avokatit të Popullit nga Kosova dhe Evropa Juglindore lidhur me zhvillimet pozitive dhe problemet në realizimin e mandatit të tyre kur referojnë raste tek Gjykatat Kushtetuese, identifikimi i ngjashmërive dhe dallimeve dhe çështjeve që mund të shfrytëzohen si model për zhvillimin e mandatit të Avokatit të Popullit në Kosovë.
 
Konferenca u përshëndet nga Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, z. Tim Cartwright, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Melvin Asin, Shefi i Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z. Joel Mermet, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Enver Hasani dhe Avokati i Popullit të Kosovës, z. Sami Kurteshi.
 

Përfaqësuesja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, në sesionin e dytë plenar të Konferencës, bëri një prezantim të subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke u fokusuar në jurisprudencën e kësaj Gjykate lidhur me legjitimimin e Avokatit të Popullit. 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.