Kongresi i 3-të i Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese, Seul, Republika e Koresë, 28 shtator – 01 tetor 2014.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës, dhe Z. Sokol Berberi, anëtar i kësaj Gjykate, mori pjesë në punimet e Kongresit të 3-të të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese, që u zhvillua në Seul, në Republikën e Koresë, nga 28 shtator deri në 01 tetor 2014.
Konferenca Botërore e Drejtësisë Kushtetuese mbledh 93 Gjykata dhe Këshilla Kushtetues, Gjykata Supreme dhe Dhoma Kushtetuese të Afrikës, të Amerikave, të Azisë dhe të Europës. Ajo promovon drejtësisë kushtetuese – e cila duhet kuptuar si kontrolli kushtetues i ligjeve duke përfshirë këtu edhe jurisprudencën në fushën e të drejtave të njeriut – si një element kyç i demokracisë, i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i Shtetit të së Drejtës (Neni 1.2 i Statutit të Konferencës Botërore).
Në Kongresin e 3-të, përveç delegacioneve të 73 Gjykatave Kushtetuese anëtare të Konferencës, morën pjesë edhe 21 Gjykata Kushtetuese kandidate për t’u anëtarësuar, si dhe 3 Gjykata Ndërkombëtare dhe Rajonale. Ky Kongres mblodhi në total 306 pjesëmarrës.
Tema e Kongresit të 3-të, e propozuar nga Gjykata pritëse (Gjykata Kushtetuese e Republikës së Koresë) dhe e miratuar nga Byroja e Konferencës Botërore ishte: “Drejtësia Kushtetuese dhe integrimi social”. Kjo temë u trajtua në Kongres në katër nën-tema:
1. Sfidat e integrimit social në një botë të globalizuar.
2. Normat ndërkombëtare për integrimin social.
3. Instrumentat kushtetues që përforcojnë /që trajtojnë/ integrimin social.
4. Roli i drejtësisë kushtetuese në integrimin social.
Mbi bazën e përgjigjeve të dhëna një pyetësori çdo nën-temë u prezantua dhe më pas u diskutua me pjesëmarrësit. Gjatë seancës së mbylljes, prezantimet tematike hyrëse dhe diskutimet që u bënë gjatë sesioneve u përmblodhën nga relatorët.
Në Komunikatën për shtyp të hartuar nga organizatorët e këtij aktiviteti ndër të tjera thuhet:
“Pjesëmarrësit u bëjnë thirrje Gjykatave anëtare të Konferencës Botërore t’u rezistojnë presioneve që vijnë nga pushtetet e tjera të Shtetit dhe nga interesat e veçanta dhe t’i marrin vendimet vetëm bazuar në Kushtetutat përkatëse dhe në parimet e tyre. Konferenca Botërore nëpërmjet Byrosë së saj është e gatshme të ofrojë ndihmën e vet për Gjykatat që janë nën presion. Konferenca Botërore nuk mund të japë veçse një mbështetje morale, ndërsa solidariteti mes gjykatave homologe, i shprehur nëpërmjet Konferencës Botërore, mund të jetë i dobishëm për një Gjykatë që të mund të rezistojë.
Në momente të caktuara, të gjitha Gjykatave Kushtetuese u duhet të trajtojnë çështje sociale qoftë sepse duhet të zgjidhin një konflikt social mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë, qoftë sepse duhet të veprojnë në mënyrë paralajmëruese dhe të shqyrtojnë kushtetutshmërinë e legjislacionit para se ai të hyjë në fuqi. Në këtë rast, Gjykata shmang konflikte të mundshme me anë të një kontrolli abstrakt, duke shfuqizuar legjislacionin antikushtetues që mund të krijonte konflikte sociale, para se ai të hyjë në fuqi.
Asambleja e Parë e Përgjithshme e Konferencës Botërore zgjodhi anëtare të Byrosë Gjykatat Kushtetuese të Austrisë, të Lituanisë dhe të Turqisë deri në mbledhjen e ardhshme të rregullt të Asamblesë së Përgjithshme që do të jetë në vitin 2017 (neni 4.b i Statutit).
Mbledhja e 8-të e Byrosë së Konferencës Botërore (Seul, 28 shtator 2014) miratoi raportin financiar të paraqitur nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, i cili vepron si Sekretariati i Konferencës Botërore, si dhe udhëzuesin që rregullon pranimin e kontributeve financiare nga Konferenca (Neni 4.b.7 i Statutit).”
Ashtu si dhe anëtarët e Konferencës Botërore të pranishëm, edhe delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë shprehu falënderimet e sinqerta për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Koresë për pritjen e saj bujare dhe për organizimin e jashtëzakonshëm të Kongresit, si dhe Komisionin e Venecias për shërbimet e tij të shkëlqyera të Sekretariatit.