Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar, Z. Xhezair Zaganjori, gjyqtar, dhe Z. Ardit Hysa, këshilltar ligjor, mori pjesë në Kongresin e XV-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane me temë: “Marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me Parlamentin dhe Qeverinë,” i cili i zhvilloi punimet në Bukuresht, Rumani, në datat 22-24 maj 2011. Në Kongres merrnin pjesë përfaqësues nga Gjykatat Kushtetuese të 41 vendeve anëtare të Konferencës, si edhe vëzhgues nga vende jo anëtare të Konferencës.
Kongresi u organizua në 3 sesione solemne ku merrnin pjesë të gjithë pjesëmarrësit, si dhe në dy sesione për Takimin e Rrethit të Kryetarëve të Gjykatave Kushtetuese. Në sesionin plenar të zhvilluar në datën 22.05.2011, pas fjalës përshëndetëse të mbajtur nga Presidenti i Republikës së Rumanisë, u vijua me paraqitjen e një raporti ku analizoheshin marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me Parlamentin dhe Qeverinë, veçanërisht sa i përket emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve kushtetues në të gjitha vendet anëtare të Konferencës, dhe me pas pati diskutime të lira nga pjesëmarrësit mbi këtë temë.
Sesioni plenar i datës 23.05.2011 u fokusua në trajtimin e temave “Zgjidhja e konflikteve organike nga Gjykata Kushtetuese” dhe “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”. Edhe gjatë këtij sesioni, u referuan fillimisht raportet përmbledhëse në lidhje me temat e sipërpërmendura dhe më pas u zhvilluan diskutime të lira nga pjesëmrrësit.
Në sesionin e Rrethit të Kryetarëve të datës 22.05.2011 zhvillimi më i rëndësishëm ishte diskutimi lidhur me kërkesën e paraqitur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për anëtarësimin e asociuar në këtë Konferencë, shqyrtimi i së cilës u shty për në mbledhjen e radhës të Rrethit të Kryetarëve, në 12 shtator 2012, në Austri, për mungesën e kohës së nevojshme për vënien në dispozicion të materialeve përkatëse.
Në sesionin e datës 24.05.2011, Rrethi i Kryetarëve të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane miratoi 5 rezoluta që kishin të bënin si me anën organizative të Kongresit dhe miratimin e buxhetit, ashtu edhe me vendime thelbësore sikurse ishte vendimi për shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mbledhjen e radhës së Rrethit të Kryetarëve në Vienë, më 12.09.2012.
Kongresi i mbylli punimet pas fjalës përshëndetëse të Kryeministrit të Republikës së Rumanisë, i cili përshëndeti kongresin jo vetëm si Kryeministër, por edhe si ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë dhe profesor i të drejtës Kushtetuese.