| Bookmark and Share

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë - Prezenca në Shqipëri, datë 14.04.2021.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetetuese të Republikës së Shqipërisë znj. Vitore Tusha dhe Ambasadori i Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco, nënshkruan sot në datën 14.04.2021, në ambientet e kësaj Gjykate, Memorandumin e Mirëkuptimit për “Bashkërendimin dhe Bashkëpunimin në zbatimin e projekteve dhe veprimtarive që synojnë të mbështesin Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, qëllimi i të cilit është krijimi i një kornize bashkëpunimi në lidhje me termat dhe kushtet që do të dakordësohen midis Palëve.

Gjatë takimit për nënshkrimin e këtij Memorandumi, Kryetarja Tusha falenderoi përzemërisht Ambasadorin Del Monaco për bashkëpunimin e frytshëm dhe intensiv me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veçanërisht gjatë dy vjetëve të fundit, si dhe theksoi rëndësinë e këtij Memorandumi për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë me qëllim organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive që synojnë ofrimin e mbështetjes teknike dhe forcimin e kapaciteteve për përmbushjen e misionit kushtetues në garantimin e epërsisë së Kushtetutës dhe forcimit të demokracisë në vend.

Nga ana e tij, Ambasadori Del Monaco, pasi theksoi rolin dhe pozicionin e rëndësishëm që mbart Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit, shprehu vlerësimin dhe kënaqësinë e tij të veçantë për mbështetjen që po i ofrohet kësaj Gjykate në funksion të promovimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me angazhimet, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

 

14 14 14

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.