Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në konferencën ndërkombëtare me rastin e 20-vjetorit të krijimit të ACCPUF, 16-17 nëntor 2017.
Me ftesë të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese që Përdorin Gjuhën Frënge (ACCPUF), Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, i shoqëruar nga znj. Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në konferencën e organizuar me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese që Përdorin Gjuhën Frënge ACCPUF, në Paris, Francë, në datat 16 - 17 nëntor 2017.
Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që Përdorin Gjuhën Frënge (ACCPUF), ku Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aderon si anëtare me të drejta të plota, ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave midis gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente të hapësirës frankofone.
Ceremonia solemne e 20-vjetorit të krijimit të këtij organizmi si dhe punimet e konferencës u zhvilluan në ambientet e Këshillit Kushtetues francez. Në ceremoninë solemne fjalimet përshëndetëse u mbajtën nga Kryetari i Këshillit Kushtetues Francez z. Laurent Fabius, Kryetari i Tribunalit Federal të Zvicrës dhe President i ACCPUF z. Ulrich Meyer, si dhe nga Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Frankofonisë znj. Michaëlle Jean.
Konferenca trajtoi temën “Shkrimi i vendimeve” në Gjykatat Kushtetuese në disa sesione pune:
- Organizimi i zinxhirit të punës për përgatitjen e vendimit.
- Metodat e redaktimit dhe teknikat e arsyetimit të vendimeve.
- Shkrimi i vendimeve dhe metodat e redaktimit të tyre – studim rastesh.