Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Forumin e tretë rajonal “Shteti i së Drejtës në Europën Juglindore”. 18 - 19 mars 2016
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja i shoqëruar nga Drejtori i Kabinetit z. Aleksandër Toma, mori pjesë në Forumin e tretë rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Europën Juglindore, që zhvilloi punimet në Sarajevë (Bosnjë-Hercegovinë) në datat 18 - 19 mars 2016.
Qëllimi i këtij Forumi, i cili organizohet nga The AIRE Centre (Advice on Individual Rights in Europe) dhe Civil Rights Defenders, është të inkurajojë bashkëpunimin rajonal dhe të ndihmojë procesin e integrimit në BE duke mbledhur së bashku gjyqtarë të rajonit pranë GJEDNJ-së, përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave të larta, drejtues të akademive të trajnimeve gjyqësore, përfaqësues të OJQ-ve.
Forumi i tretë u përqendrua në zhvillimet më të fundit në praktikën gjyqësore dhe pengesat e hasura në zbatimin efektiv të KEDNJ, problemet me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit si dhe çështjet që lidhen me të drejtën për azil.