Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Konferencën e 8-të të Kryetarëve të Institucioneve Anëtare të ACCPUF, Moldavi, 28 - 30 shtator 2016.
Me ftesë të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese që përdorin Gjuhën Frënge (Association des Cours Constitutionnelles ayant en Partage l’Usage du Francais - ACCPUF), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Dedja, dhe Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Konferencën e 8-të të Kryetarëve të Institucioneve Anëtare të ACCPUF që u zhvillua në Kishinau, Moldavi, në datat 28 - 30 shtator 2016.
Për organizimin e kësaj Konference ACCPUF bashkëpunoi me Gjykatën Kushtetuese të Moldavisë, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të kësaj Gjykate, Alexandru Tănase. Në ceremoninë solemne të çeljes së punimeve të konferencës përshëndetën Presidenti i Republikës së Moldavisë, Nicolae Timofti, Kryeministri i Republikës së Moldavisë, Pavel Filip, Kryetari i Gjykatës Supreme të Zvicrës dhe njëkohësisht Kryetari i ACCPUF, Gilbert Kolly, Drejtori i Divizionit të Drejtësisë Kushtetuese të Komisionit të Venecias, Schnutz Dürr.
Kjo Konferencë e 8-të e Kryetarëve të Institucioneve Anëtare të ACCPUF trajtoi parimin e kontradiktoritetit në Gjykatat Kushtetuese në disa sesione pune ku folësit sollën përvojën konkrete të vendeve të tyre dhe trajtuan hollësisht organizimin e procedurës me shkrim dhe procedurës dëgjimore të parashtrimeve.
Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që përdorin Gjuhën Frënge (ACCPUF) ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e drejtësisë kushtetuese midis anëtarëve të hapësirës frankofone dhe mbledh rreth 40 gjykata kushtetuese dhe institucione ekuivalente të Afrikës, Europës, Amerikës dhe Azisë.