Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, mori pjesë në Kongresin e 5-të të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, i cili i zhvilloi punimet në Bali, Indonezi, në datat 4 – 7 tetor 2022.
Konferenca Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, në të cilën Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota, është një organizatë që bashkon institucionet e kontrollit kushtetues nga e gjithë bota (Evropa, Afrika, Amerika, Azia dhe Australia), me qëllim promovimin e dialogut mes institucioneve të drejtësisë kushtetuese në nivel ndërkombëtar, në funksion të forcimit të drejtësisë kushtetuese e cila është një element kyç për demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës.
Kongresi i 5-të u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Indonezisë së bashku me Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës) i cili kryen edhe funksionin e Sekretariatit të Kongresit. Tema e Kongresit të 5-të ishte “Drejtësia Kushtetuese dhe Paqja”.
Referimet dhe diskutimet gjatë sesioneve të Kongresit u fokusuan edhe në nën-temat e mëposhtme: 1) burimet dhe juridiksioni, 2) zbatimi (lidhur me paqen dhe pajtimin), 3) kufizimet e rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e paqes, 4) parimet themelore: mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës si një parakusht për paqen, 5) vlerësime mbi pavarësinë e gjykatave anëtare.
Pjesëmarrësit e Kongresit të 5-të shkëmbyen përvojat respektive rreth rolit të gjykatave të vendeve të tyre në parandalimin e konfliktit, ruajtjen e paqes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të rezultojnë në konflikte.
Punimet e Kongresit u paraprinë nga takimet e grupeve rajonale dhe gjuhësore të gjykatave kushtetuese dhe organeve ekuivalente, si dhe nga mbledhja e Byrosë së Konferencës Botërore. Po ashtu, në përfundim të punimeve të Kongresit, u zhvillua edhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme ku u diskutuan dhe miratuan çështje të natyrës organizative të Konferencës.
Në datën 5 tetor, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi një takim bilateral me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Indonezisë, z. Anwar Usman, gjatë së cilit palët shfaqën interes për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kushtetuese respektive.