| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në përvjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë dhe Forumin e VII-të Ligjor të Shën Petersburgut, 15 – 20 maj 2017.

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë dhe Forumit Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut, Z. Gani Dizdari, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhe Z. Ermal Tauzi, këshilltar ligjor, morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Drejtësia Kushtetuese – Doktrina dhe Praktika”, e cila u organizua me rastin e përvjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë dhe filloi punimet e Forumit të VII-të Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut.
 
Gjatë punimeve të Konferencës Ndërkombëtare, tema e cila tërhoqi më tepër vëmendjen kishte të bënte me kufizimin e të drejtës së votës për personat që vuajnë dënim me heqje lirie. Të pranishmit paraqitën shembuj të ndryshëm mbi situatën në vendet e tyre, duke ju referuar dhe vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (çështja scoppola). Gjithashtu, pjesë e këtij forumi ishte dhe seminari me temë “Roli i Kushtetutës në Botën Moderne”. Në këtë seminar u përforcua ideja e rëndësisë që ka Kushtetuta dhe roli i Gjykatës Kushtetuese si organi kryesor në garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, u nënvizua roli i Gjykatës në kontrollin dhe balancimin e pushteteve.
 
Pjesë e këtij forumi ishte dhe leksioni i mbajtur nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese së Federatës së Rusisë, z. Valery Zorkin, mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.