| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në simpoziumin e organizuar në kuadër të Përvjetorit të Artë të Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, 18-22 tetor 2019.

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, e përcjellë nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga znj. Vitore Tusha, Anëtare me kompetencat e Kryetarit, dhe znj. Kaliona Nushi, këshilltare ligjore, mori pjesë në Simpoziumin ndërkombëtar organizuar në kuadër të festimeve për Përvjetorin e Artë të Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, në Kajro, në datat 18 - 22 tetor 2019.

Simpoziumi, i ndarë në disa sesione pune, trajtoi temën “Evoluimi dhe progresi i gjykimit kushtetues, arritjet dhe sfidat” duke ofruar mundësinë që pjesëmarrësit, kryetarë gjykatash kushtetuese dhe gjyqtarë kushtetues nga  shumë vende të botës, të diskutonin dhe të ndanin përvojat e tyre rreth zhvillimeve më të fundit të drejtësisë kushtetuese lidhur me mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të përbashkëta kushtetuese.
 
Gjithashtu, znj. Vitore Tusha mori pjesë në takimin e posaçëm të organizuar nga Presidenti i Republikës Arabe të Egjiptit, Shkëlqesia e Tij Abdel Fattah Al Sisi, me kryesuesit e delegacioneve pjesëmarrëse në këtë veprimtari jubilare.
 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.