Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në veprimtaritë e organizuara me rastin e 25-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë, 15-19 maj 2018.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate z. Bashkim Dedja dhe i përbërë nga Drejtori i Kabinetit të Kryetarit z. Aleksandër Toma dhe znj. Alma Çomo, Drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Kushtetuta në epokën e ndryshimeve globale dhe objektivat e kontrollit kushtetues”, e cila u organizua me rastin 25-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë.
Kjo konference ndërkombëtare startoi edhe punimet e Forumit të 8-të Ligjor Ndërkombëtar të Shën Petërsburgut, veprimtari të cilat u zhvilluan në Shën Petërsburg në datat 15-19 maj 2018.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë z. Bashkim Dedja zhvilloi takime zyrtare me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë z. Valery Zorkin, si dhe me përfaqësues të Konferencës së Organeve të Kontrollit Kushtetues të Vendeve me Demokraci të Re.
Gjatë punimeve të Forumit të 8-të Ligjor Ndërkombëtar u shkëmbyen përvoja në fushën e jurisprudencës dhe të modernizimit të saj në kohën e ndryshimeve globale, forum i cili prej vitit 2011 ofron tashmë mundësi unike për komunikime në fushat e së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.