| Bookmark and Share

Pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Çekisë, Brno, 19 – 21 qershor 2017

Me ftesë të z. Pavel Šámal, Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Çekisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga z. Bashkim Dedja, Kryetar, z. Aleksandër Toma, Drejtor i Kabinetit të Kryetarit, dhe znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Efekti i detyrueshëm i vendimeve gjyqësore”, e cila u organizua nga Gjykata e Lartë e Çekisë në kuadër të Kryesisë së radhës të Republikës së Çekisë në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës dhe i zhvilloi punimet në Brno, Republika e Çekisë, në datat 19 – 21 qershor 2017.
 
Qëllimi i organizimit të kësaj Konference Ndërkombëtare të nivelit të lartë ishte mbajtja e një forumi për të diskutuar mbi efektin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian dhe gjykatave kombëtare të shteteve anëtare të Këshillit të Europës. Gjithashtu, u diskutua edhe për marrëdhënien ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe të zakonshme brenda sistemeve ligjore kombëtare. Prezantuesit kryesorë, pjesëmarrësit në panele dhe moderatorët ishin përfaqësues të gjyqësorit, të fushës akademike dhe të avokatisë. Përvojat e tyre të ndryshme profesionale garantuan një analizë të gjerë dhe kritike të tendencave më bashkëkohore të drejtësisë europiane. 
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.