Sot, në datën 05.04.2023, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, u prit në një takim zyrtar nga Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadorja Znj.Christiane Hohmann
Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj evidentoi sfidat me të cilat përballet aktualisht Gjykata Kushtetuese, duke u ndalur në prioritetet dhe nevojat më imediate për një sistem të menaxhimit të çështjeve në përputhje me kërkesat e kohës dhe zhvillimet e reja të teknologjisë, caktimin elektronik të çështjeve, si dhe dixhitalizimin e arkivës. Po ashtu, u diskutua edhe lidhur me nevojën e rritjes së burimeve njerëzore dhe të kapaciteteve brenda gjykatës, me qëllim adoptimin e standardeve dhe praktikave më të mira, si dhe përballimin e ngarkesës në rritje të numrit të çështjeve që shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, veçanërisht pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara në vitin 2016.
Nga ana e saj, duke e vënë theksin në parimet themelore të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, Ambasadorja Hohmann shprehu angazhimin për eksplorimin e mundësive të bashkëpunimit dhe krijimin e një partneriteti me Gjykatën Kushtetuese, me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së këtij institucioni të rëndësishëm dhe përmbushjen si duhet të funksionit e misionit të tij kushtetues.